Christina Aguilera ka incizuar muzikë të re për filmin “Mulan”

2 Mars, 2020 - 1:00 pm

Këngëtarja 39-vjeçare e cila bëri bujë anembanë botës para më shumë se dy dekadash, me interpretimin e këngës “Reflection” që ishte kolonë zanore e filmit të animuar të realizuar në vitin 1998, tashmë ka punuar në një version të ri të baladës klasike, për filmin e ardhshëm të studios Disney.

Sipas “Entertainment Weekly”, Aguilera ka deklaruar: “Filmi “Mulan” do të lansohet së shpejti. Ju duhet ta shikoni atë. E kam incizuar një version të ri të këngës ‘Reflection’ dhe disa këngë të tjera për këtë projekt. Ka kohë që po punojë rreth muzikës së këtij filmi”.

Edhe pse përfshirja e këngëtares në filmin e ardhshëm “Mulan”, deri më tani nuk ishte zbuluar zyrtarisht, fansat kishin spekuluar për një gjë të tillë pasi ajo e interpretoi këngën “Reflection” në ngjarjen “Disney’s 2019 D23 Expo” në muajin gusht. Edhe pse në filmin e famshëm të animuar kënga në fjalë ishte interpretuar nga ylli i Broadwayt, Lea Salonga, pas disa muajsh Aguilera e kishte publikuar një version pop të këngës, me të cilën edhe debutoi në skenën muzikore kur ishte vetëm 17-vjeçare, transmeton Koha.net.

Filmi “Mulan” pritet të jetë shumë më ndryshe nga filmi i animuar, por aktori Tzi Ma i cili e luan personazhin e babait të Mulanit në film, mendon që adhuruesit do ta pëlqejnë atë edhe më shumë.

“Ky nuk është një ripërpunim i filmit të animuar, gjë që do t’i zhgënjejë shumicën për shkak se ai projekt ishte pritur shumë mirë anembanë botës. Por, unë mendoj se filmi jonë do të jetë superior ndaj filmit të kaluar, kryesisht për shkak të regjisores Niki Caro. Ajo po e sjellë një version të historisë nga pikëpamja e gruas, që është më se e nevojshme, sepse filmi edhe ashtu flet për një luftëtare grua,” citohet të ketë thënë aktori.

Në rolin e Mulanit në film vjen aktorja e re kineze, Liu Yifei, e cila ka marrë lëvdata për performancën e saj, ndërsa filmi do të lansohet nëpër kinema nga 27 marsi. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme