Cili ishte viti më i mirë për muzikën?

11 Prill, 2020 - 11:30 am

Grupi “The Beatles”, Madonna, Ed Sheerani dhe Taylor Swifi, të gjithë këta emra kanë shënuar rekorde për sa i përket numrit të transmetimit të këngëve të tyre.

Të gjithë kanë një epokë të preferuar të muzikë, dikush vitet ’60, dikush muzikën e viteve ’90 e dikush tjetër parapëlqen muzikën e viteve të fundit.

Por, a ekziston ndonjë vit i vetëm kur muzika rock dhe pop arritën kulmin?

BBC-ja shkruan se nëse i bëni dikujt këtë pyetje, çdo person do të japë si përgjigje një nga vitet e adoleshencës së tyre.

Në adoleshencë, truri i njeriut është më aktiv, kemi më shumë kohë për të dëgjuar muzikë dhe përjetojmë shumë gjëra për herë të parë. Të gjitha këto bashkërisht i bëjnë këngët e periudhës së adoleshencës më të paharrueshme.

Kur ekonomisti Seth StephensDavidowitz, i analizoi të dhënat e “Spotify” mbi zakonet e dëgjimit të këngëve, ai zbuloi se nëse ishe i ri kur kënga hit u publikua për herë të parë, atëherë ajo këngë mbetej e popullarizuar për atë grupmoshë edhe 10 vjet më vonë.

Për shembull, kënga “Creep” e grupit “Radiohead” është njëra nga më të preferuarat në mesin e burrave 40-vjeçarë. Për ata që janë në të 20-at, kjo këngë nuk arrin të renditet as në mesin e 300 të parave. “Call Me Maybe” e Carly Rae Jepsen ka të njëjtin efekt.

Mendimi i psikologëve

Psikologët besojnë se ekziston një arsye më e thellë pse ne kapemi në këto pjesë muzikore, të cilat kanë qenë të preferuarat tona në adoleshencë.

“Gjatë këtyre viteve formuese marrim shumë vendime thelbësore për ndryshimin e jetës, nisjen e marrëdhënieve të rëndësishme afatgjata dhe vendosjen e besimeve kulturore dhe politike, të cilat formësojnë identitetin tonë”, ka thënë neuropsikologia, Catherine Loveday, duke folur për Radio 3 të BBC-së. “Muzika ka një aftësi të brendshme për të rregulluar emocionet, kështu që këto këngë natyrisht mbeten të ngulitura në kujtimet tona të rëndësishme, qofshin ato pozitive apo negative”.

Të gjitha këto informacione janë interesante, por sërish nuk do të na ndihmojë që të vendosim në mënyrë empirike se cili vit prodhoi muzikën më të mirë.

2019-a

Hulumtimet e reja nga organi i industrisë së muzikës BPI ndihmojnë më shumë në këtë drejtim. Duke analizuar të gjithë muzikën e transmetuar në Mbretërinë e Bashkuar gjatë vitit të kaluar, BPI-ja ka hartuar një listë të vitit më të popullarizuar muzikor për çdo dekadë të epokës së “rock and roll”-it.

2019-a ishte viti më i popullarizuar në përgjithësi, por kjo vetëm sepse hitet e tanishme paraqesin një të pestën (rreth 21.1 për qind) e të gjithë veprimtarisë së transmetimit.

Sipas të dhënave të BPI-së, tani e dimë se njerëzit kanë një prirje më të madhe për këngët e vitit 1984 (“Purple Rain”, “Wake Me Up Before You Go Go”) sesa ato të vitit 1989 (“Like A Prayer”, “Ride On Time”).

Ne gjithashtu preferojmë hitet e vitit 1977 (“We Will Rock You”, “Stayin ‘Alive”), në krahasim ato të vitit 1971 (“Maggie May”, “Sweet Caroline”). /KultPlus.com

Të ngjajshme