DAM Festivali mirëpret muzikantët nga Peja, me misionin për promovimin e të rinjve

31 Mars, 2018 - 1:10 pm

Alberina Haxhijaj

Festivali DAM po vazhdon të jetë një platformë për promovimin e artistëve të rinj e veçanërisht studentëve. Në edicionin e 13-të të tij, ky festival mirëpriti për herë të parë studentët e Fakultetit të Arteve nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, shkruan KultPlus.

Studentët e këtij fakulteti u paraqitën mbrëmë me vepra të ndryshme në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. Muzikëdashësit të cilët ishin të pranishëm në këtë koncert patën rastin që të dëgjojnë edhe një program të bukur e të larmishëm muzikor, i cili erdhi përmes Korit të Fakultetit të Arteve në Pejë.

Programi i tyre ishte fokusuar te kompozitorët e shekullit të fundit, duke tentuar edhe ruajtjen e veprave të kompozitorëve shqiptarë. Kori interpretoi për herë të parë edhe veprën “Vendlindja” të kompozitorit Valton Beqiri, kompozuar posaçërisht për këtë kor, i cili u shoqërua me piano nga Besim Qorri. Dirigjenti i korit, Hysen Nimani, tregoi për KultPlus se Fakulteti i Arteve e po ashtu edhe kori kanë dëshirë që të jetë edhe në vitet e ardhshme pjesë e Festivalit DAM.

“Ja vlen organizimi i festivaleve të tilla për ruajtjen por edhe ngritjen e cilësisë në muzikë. Pjesëmarrja këtu është kënaqësi për ne dhe shpresojmë që tani e tutje të jemi pjesëmarrës të rregullt. Është shumë e rëndësishme përfshirja e të rinjve, madje ata marrin edhe përvoja nga instrumentistët e huaj që janë pjesë e festivalit e që vijnë prej shteteve të ndryshme. Vlen të theksohet se puna më e mirë është kjo, shkëmbimi i informatave, eksperiencave dhe përvojave në mes të instrumentistëve”, tha ai.

Nga Fakulteti i Arteve në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë janë paraqitur edhe studentët Frederik Gjokaj (saksofon), Agon Daka (saksofon), Endrit Rexhepi (saksofon), Lavdim Elezi (saksofon), Erion Kryeziu (saksofon), Kosovar Arifaj (klarinetë), Erblina Bajrami (flaut), Valon Kryeziu (klarinetë), Rexhep Karaqi (piano) dhe Entela Demi (flaut).

Entela Demi, studente e vitit të tretë në Fakultetin e Arteve, solli mbrëmë me flaut “Fantazinë Hungareze” të kompozitorit Franz Doppler, dhe u shpreh e lumtur për mundësinë që po u jepet të rinjve për të qene pjesë e festivaleve që mbahen në Kosovë.

“Është hera e parë që po marrim pjesë në DAM në kuadër të fakultetit, ndjehem shumë mirë që na është dhënë kjo mundësi. Kjo pjesëmarrje do të na shërbejë në të ardhmen si muzikantë të rinj. Ka shumë rëndësi edhe paraqitja në një festival siç është DAM-i, dhe në të cilin marrin pjesë edhe artistë nga të gjitha vendet evropiane si dhe nga Kosova”, tha për KultPlus Entela Demi, e cila tashmë është mësuar me publikun, pasi emri i saj ka figuruar shumë herë si fituese në gara të ndryshme.

Sonte do të performojë “Vienna World Orchestra” duke filluar nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare.

Në kuadër të festivalit sonte vjen Përplasje III – me pjesëmarrjen e Rina Kaçinarit, Golnar Shahyar, Paul Dangl, Jorg Mikula, Mahan Mirarab, Ariel Ramirez, Simon Schellnegger dhe Efe Turumtay. / KultPlus.com

Të ngjajshme