DAM solli përmes Shaqir Hotit historinë e lashtë të okarinës dhe neglizhencën ndaj instrumenteve tradicionale

28 Mars, 2019 - 9:00 pm

Alberina Haxhijaj

Sot, zhvillimi teknologjik është bërë shumë i rëndësishëm. Të ngjitur pas pajisjeve elektronike është bërë e zakonshme të shohësh njerëz gjersa kalojnë rrugës me çanta për këto pajisje. Një çantë të tillë klasike, ngjyrë të zezë, për laptop e mbanë edhe muzikanti 83 vjeçar Shaqir Hoti. Mirëpo, për dallim nga njerëzit e tjerë, në vend të laptopit, në çantë ai mbanë një copëz të  trashëgimisë muzikore të tij por edhe të Kosovës. Me dhjetëra okarina, fylla dhe madje edhe një gajde e punuar me material të xhaketës së djalit të tij, zënë vend në këtë çantë. Instrumente të cilat ai i luan shumë bukur dhe i ka realizuar vet.

Në çantën e tij, në mesin e instrumenteve frymore gjenden edhe kopje të okarinës më të vjetër të gjetur në trojet shqiptar, në Runik, instrument ky të cilin ai asnjëherë nuk e parë, pasi që u morë nga autoritet serbe gjatë pushtimit të Kosovës, mirëpo për të cilën ndjeu çdo herë një dashuri të jashtëzakonshme. Kjo dashuri e fuqishme e shtyri që të bisedonte me arkeologen Edi Shukriu, arkeologia e cila e pati në dorën e saj okarinën origjinale, në përpjeke për të mësuar më shumë sesi ishte origjinali në mënyrë që të krijonte një të tillë edhe vet. Një gjë të tillë ai e arriti pasi që ndërtoi okarinë nga argjira, druri e plastika, por edhe nga çdo material i fortë që i ra në dorë si lajthia e arra.

“Mund të them se kjo është një sëmundje, mirëpo një sëmundje e bukur. Çdo gjë që shoh dhe është e fortë mendoj sesi mund ta shndërroj në okarinë”, u shpreh Hoti duke buzëqeshur para të pranishëmve që erdhën për të dëgjuar historinë e tij sot, në “Shtatëmbëdhjetë” në kuadër të Festivalit DAM.

Shaqir Hoti është muzikant që tërë jetën ia dedikoi punimit e studimit të instrumenteve burimore, e në veçanti okarinës. Tash i pensionuar, jeton në Prishtinë dhe vazhdon të hulumtojë instrumentet tradicionale dhe të kompozojë për to. I lindur në Rogovë të Hasit të Prizrenit, (1936) në një familje me traditë në fushën e muzikës, Shaqir Hoti nuk e pat të vështirë lidhjen me instrumentet dhe muzikën. Pas ushtrimit të profesionit të mësuesit në Has, Hoti transferohet në Orkestrën e Radio Prishtinës si instrumentist profesionist, duke qenë se ai pa problem mund të interpretonte në instrumente me frymë, konkretisht në flaut dhe në ato me tela, çifteli.

“Në vendet tjera edhe në shkolla mbahet lënda ‘Instrumentet tradicionale’ kurse te ne kjo na mungon, dhe nga kjo rrjedhë edhe interesimi shumë i vogël. Kushdo që i ka dëgjuar meloditë tona dhe këngët popullore i ka vlerësuar shumë, pasi që fjalitë tona muzikore janë shumë konstruktive dhe të gjitha ato janë shoqëruar me këto instrumente, mirëpo për fakt të keq kujdesi mungon”, thekson Hoti duke vendosur mbi tavolinë punimet e tij.

Përveç çantës së veçantë që ka Hoti i njohur si Baca Shaqir, e ku mbanë me vete disa instrumente,atë shpesh mund ta shihni edhe me një bastun në dorë. Mirëpo bastuni i tij është po aq i magjishëm dhe intrigues sa është edhe puna e tij. Shkopi i gjatë i bastunit të tij shndërrohet në një fyell të cilit ai i bie pasi që ia largon dorëzën të cilin ja ka vendos për tu mbajtur për të. Krijuesi i mbi 1 mijë instrumentesh tregohet shumë kreativ me punimet e tij, ai ka krijuar edhe një okarinë në formë mollëkuqe. Madje duke eksperimentuar me këtë instrument dhe duke i shtuar vrima, këtë instrument ai e ka dërguar deri në oktavë.

“Instrumentet tona tradicionale janë duke u braktisur me të madhe pasi që njerëzit janë duke kërkuar instrumente të cilat kanë tingullin e vet, instrumente të fabrikuara dhe nuk dëshirojnë me u lodh me instrumente tona tradicionale”, shprehet Hoti. Mirëpo, sipas tij këto instrumente të vjetra popullore dhe meloditë e tyre mund të ri-aranzhohen dhe të vendosen brenda veprave të ndryshme moderne dhe me punë e dashuri, sipas tij ai gërshetim do jetë shumë i bukur.

Një modifikim të tillë e sheh si të rëndësishëm edhe festivali DAM, u shpreh muzikologia Rreze Kryeziu, e cila theksoi se përmes këtij diskutimi, festivali dëshiron që të ktheje vëmendjen tek tingujt e lashtë dhe te mënyra sesi ato mund të ndërthuren në kontekstin modern.

 “Sot kemi rastin që të njoftohemi me të vetmin instrument muzikor të gjetur në Kosovë e që është identifikues i kulturës për ne. Dëshirojë të theksoj se përveç problemeve ekonomike, politike, sociale, ne kemi edhe probleme të tjera të shumta sa i përket krijimit të një fondi të instrumentaliumit në shtetin tonë. Megjithatë, ka disa botime, hulumtues, muzikologë, historianë, arkeologë në Kosovë të cilët janë marrë me këto hulumtime dhe i kanë prezantuar dhe reprezentuar ato, mirëpo fatkeqësisht edhe ai fond i zbuluar e i promovuar nga ata mbetet akoma i debatueshëm”, u shpreh ajo.

Në anën tjetër Brikena Hoxha nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet, u shpreh se një nga pikat kyçe për këtë organizatë është edhe trashëgimia kulturore dhe se ata do të vazhdojnë të promovojnë punën e Bacës Shaqir, mirëpo sipas saj këtë nuk duhet ta bëjnë vetëm organizatat por institucionet. Për të është shumë e rëndësishme një gjë e tillë pasi që Shaqir Hoti është i vetmi i cili punon okarinën dhe pas largimit të tij nga kjo jetë do të shuhet edhe ky instrument.

“Trashëgimia shpirtërore, përfshirja e muzikës, artit, e të tjerë që përbëjnë edhe pasurinë me të madhe të një shoqërie në Kosovë ka mbetur akoma pa vëmendje të mjaftueshme. Disa nga praktikuesit e trashëgimisë jo materiale, shpirtërore tashëm si Baca Shaqë janë mjaftë të vjetër në moshë dhe në mungesë të tyre dhe të aftësive që ata kanë, këto instrumente edhe do të zhduken”, tha ajo duke shtuar se prandaj kanë realizuar edhe takime e punëtori me njerëz të tillë në mënyrë që kjo pjesë e trashëgimisë të bartet edhe tek brezat e rinjë dhe të mbijetojë.

Aktivitetet në kuadër të edicionit të katërmbëdhjetë të Festivalit DAM do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim./ KultPlus.com

Të ngjajshme