“Dedicación”, albumi i parë në kitarë klasike nga Elvis & Gjulian Guitar Duo

28 Maj, 2019 - 2:00 pm

Elvis e Gjulian Bytyqi kanë sjellë albumin e parë në kitarë klasike të quajtur “Dedication”, shkruan KultPlus.

Ky emërtim i këtij albumi ka edhe një ndjesi tjetër për Elvisin dhe Gjulianin, pasi që pikërisht këtë album ia kanë dedikuar babait të tyre Nijazi Bytyqit, i cili edhe i ka njoftuar me botën e muzikës.

“Ky album është fryt i punës, studimeve dhe sakrificave tona shumë vjeçare. Përveq vlerës së saj të madhe kulturore, ky album poashtu ka vlerë të madhe historike në fushën e kitarës klasike, pasi që është albumi i parë muzikës klasike kitaristike në Republikën e Kosovës, dhe si e tillë është shumë domethënëse për zhvillimin historik të kitarës klasike në Kosovë, prezentimin e saj jashtë shtetit, si dhe promovimin e vlerave kulturore të Kosovës nëpër botë”, kanë njoftuar kitaristët shqiptarë.

Producentë të këtij albumi janë Armend Xhaferi dhe Pëllumb Ballata , nga studio “HOMEBASESOUND” në Prishtinë, kurse Nok Selmani ka realizuar fotografitë në studio.

Kitaristët shqiptarë kanë njoftuar se albumi së shpejti do të del në shitje në pika të caktuara në Kosovë, sikurse që do të jetë e disponueshme edhe në platformat:  Spotify, Deezer, ITunes, Youtube music, Amazon mp3, etj./KultPlus.com

Të ngjajshme