Demi Lovato në ceremoninë “Grammy” për herë të parë pas mbidozës me drogë

15 Janar, 2020 - 3:00 pm

Këngëtarja shumë e dashur amerikane, Demi Lovato, do të performojë në ceremoninë e sivjetme “Grammy”, dhe ky do të jetë interpretimi i saj i parë në skenë që nga mbidoza me drogë në vitin 2018.

Në postimin e saj të fundit në rrjetet sociale, Demi Lovato kishte shkruar: “Herën tjetër kur të dëgjoni diçka nga unë, do të jem duke kënduar…”

Dhe, duket se këngëtarja e ka mbajtur premtimin, duke e zbuluar të martën, lajmin se do të përfshihet në listën e yjeve, të cilët do të performojnë në skenën e ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve kryesore në muzikë, “Grammy Awards”, transmeton KTV.

Ylli i hitit “Sorry Not Sorry”, në të kaluarën ka qenë e nominuar për çmim “Grammy” në kategoritë “Albumi më i mirë pop” për albumin e vitit 2017 “Confident” dhe “Performanca më e mirë pop” për bashkëpunimin e saj me Christina Aguilerën, “Fall in Line”.

Image

Performanca e aktores dhe këngëtares Lovato, po ashtu e shënon rikthimin e saj në skenë, pas tragjedisë së vitit 2018 që gati i mori jetën, kur ajo pësoi mbidozë me drogë. Ajo ishte dërguar me urgjencë në spital, në korrik të 2018-s, ku qëndroi për disa javë. Lovato i kaloi disa muaj edhe në rehabilitim.

Kjo, njëherësh do të jetë performanca e parë e këngëtares, prej se ka bërë të ditur lajmin se për menaxhimin e karrierës së saj muzikore, e ka angazhuar menaxherin kontrovers, Scooter Braun. Ky i fundit ishte lajm në mediat botërore gjatë fundit të vitit 2019, për shkak se pop ylli Taylor Swift, e akuzoi atë për përfitime nga muzika e saj.

Ndër yjet e tjerë që e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë ceremoni janë: Ariana Grande, Aerosmith, Billie Eilish, Lizzo, Blake Shelton dhe Gwen Stefani.

Alicia Keys do ta prezantojë shoun për të dytin vit me radhë.

Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “Gramy” do të mbahet më 26 janar të këtij viti. /KultPlus.com

Të ngjajshme