Despacito vendos rekord të ri në YouTube me gjashtë miliardë shikime

26 Shkurt, 2019 - 9:00 pm

Adhuruesit e Luis Fonsi dhe Daddy Yankee nuk po mund të ngopen me këngën “infektuese” Despacito – video klipi i tyre muzikor sapo e ka tejkaluar rekordin prej gjashtë miliardë shikimeve në YouTube.

Yjet e hitit latin e publikuan këngën në janar të vitit 2017, ndërsa më shumë se dy vjet më vonë, ai ende po dëshmohet të jetë hit i vërtetë.

Të dielën, Despacito zyrtarisht u bë promoja e parë në historinë e YouTube që e arriti një rekord të madh, duke e tejkaluar konkurrentin më të afërt – “Shape of You” të Ed Sheeranit – me 1.9 miliardë shikime, shkruan KOHA Ditore.

Sipas zyrtarëve në faqen për video-streaming, gjatë kulmit të popullaritetit të këngës së nominuar për Grammy, promoja e saj u transmetua mesatarisht 25.7 milionë herë në ditë. Kjo shifër ka rënë ndjeshëm, por është ende madje 2.8 milionë shikime mesatare në ditë deri më tani në vitin 2019, raporton Billboard.

Despacito ka vazhduar t’i thyejë kufijtë që nga debutimi i saj – ajo u bë videoja e parë që i tejkaloi tre miliardë shikime në YouTube, përpara se të vazhdonte të hynte në histori ndërsa i kaloi edhe katër dhe pesë miliardë shikime.

Ndërkohë, singli i remiksuar, ku paraqitet Justin Bieber, ende është në maja të listave – singli e kaloi javën e 100-të në U.S. Hot Latin Songs Chart para Krishtlindjeve dhe mbetet në vendin e tretë në javën e 109-të në top listën e Billboard.

Vetëm Romeo Santos ka kaluar më shumë kohë në top listë – kënga e tij e vitit 2013 Propuesta Indecente aktualisht e mban titullin si kënga që ka qëndruar më gjatë në top listën Hot Latin Songs me 125 javë.

Të ngjajshme