19 Maj, 2025 - 9:30 pm
Vjollca Duraku
Artistet Dina Busić, me prejardhje arbanase, dhe kitaristja Melita Ivković në skenën e Chopin Piano Fest mbrëmë sollën gjuhën, kulturën dhe muzikën arbëreshe të bartur ndër breza si amanet i një malli të pashuar shpirtëror ndaj atdheut të tyre, shkruan KultPlus.
Sikurse arbëreshët e Italisë, po ashtu edhe arbëreshët e Zarës janë një komunitet shqiptarësh por që jetojnë në qytetin e Zarës në Kroaci, që përfaqësojnë një pjesë të diasporës së hershme shqiptare të cilët kanë emigruar si pasojë e pushtimit osman, gjatë shekujve XV-XVII.
Ndonëse kanë kaluar vite e shekuj që kur ka ndodhur shkëputja fizike nga atdheu i tyre, një fjalë, rimë apo varg rikthen përjetimet, mallin dhe dashurinë e vatanit të tyre nga i cili u larguan padrejtësisht. Artistja me prejardhje arbanase, Dina Busic, koncertin e ka titulluar “Bërbili”, i cili përmbante edhe një tekst të cilin gjyshja e saj ia kishte përcjellë në formë të këngës. Fjalë më fjalë dhe tingull më tingull zbulohet me delikatesë bukuria e këngës në dialektin gegë- arbanas, para një publiku që dëgjonte plotë ndjesi e respekt.
Vepra “Arbënesi vendi tem”, “Jam Arbënes”, Kënga e Skënderbeut- “Kanga e Luftës” dhe “Moj e bukura More” sollën te publiku emocione të fuqishme që kulmonin në duartrokitje anë e kënd sallës. Në koncertin e pestë të Chopin Piano Fest u interpretuan gjithsej 14 vepra të përzgjedhura arbëreshe, që këndoheshin kombinuar me gjuhën kroate: “Ishjë një ditë të mojit majit”, “Netët”, “Kanga e Gjyles”, “Ni merje kam Vana”, “So e dua nanen”, “Moj e vogël si florini”, “More vajzo” dhe “Zogu i verës”.
Pas koncertit, Dina Busić në një prononcim për media ka thënë se për të është shumë e rëndësishme që këto këngë t’i bartin te gjeneratat e reja.
“Është shumë e rëndësishme për ne që ta promovojmë muzikën dhe kulutrën arbëneshe në Kosovë. Kemi lidhje të arta që po na bashkojnë për 300 vjet histori. Arbëneshët kanë ardhur para 300 vjetësh në Zarë dhe çfarë na ka mbetur prej tyre nuk është shumë, por kemi mbledhur gjithçka dhe kemi krijuar një projekt të tërë të ri nga ajo që ka mbetur dhe shpresojmë që gjeneratat e reja do t’i dëgjojnë këto këngë dhe t’i këndojnë ato në të ardhmen” ka thënë Busic, duke potencuar se i bëhet zemra mal kur publiku ngritet për ta respektuar artin e tyre përmes këngëve të vjetra shqipe.
Ndërsa, kitaristja Ivković ka thënë se për të ishte një ndjenjë e veçantë interpretimi para njerëve që i ndiejnë këngët në gjuhën e tyre.
“Ishte një natë e veçantë dhe gjithashtu ndjenjë e veçantë të performojmë këtë projekt arbënesh para njerëzve që në fakt e kuptojnë. Për mua, projekti ‘Bërbili’ që e kam bërë me Dinën zë një vend të veçantë në zemër dhe në karrierën time, sepse duke qenë kitariste klasike, kjo qe hera e parë që e prezantoj veten edhe si aranzhuese dhe kompozitore, kështu që kam dhënë më të mirën prej vetes për këtë projekt”, ka thënë kitaristja Ivković.
Ndërkaq, drejtoresha organizative e festivalit “Chopin…”, Besa Luzha, ka thënë këngët e interpretuara në këtë mbrëmje ishin himn për këngën shqipe.
“Kjo mbrëmje kishte një ngjyrim ndryshe, pas katër mbrëmjeve me koncerte recitale të muzikës klasike dhe kamertale. Ishte një mbrëmje shumë e bukur, sepse këto këngë ndoshta janë dëgjuar në versionin popullor, apo në ndonjë version tjetër, por dy artistet i sollën përmes një ngjyrimi klasik, të përpunuar edhe në kitarë. Ishte si një himn për këngën shqipe, e cila edhe pas shumë shekujsh ka arritur të mbijetojë. Secili prej komunitetve arbëreshe i ka ruajtur këngët. Disa prej tyre mund të kenë ndryshuar, por artistet i kanë përpunuar dhe i kanë rikthyer në një version që mund të jenë për një program arsitik”, ka thënë drejtoresha Luzha.
Koncerti i gjashtë i Chopin Piano Fest mbahet më 20 maj, në ora 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com