“Dita Botërore e Muzikës” sjell larmi aktivitetesh në Tiranë

22 Qershor, 2022 - 3:32 pm

Dita Ndërkombëtare e Muzikës, një event që kremtohet në mbi 200 vende të botës, i solli dje kryeqytetit të Shqipërisë një mori aktivitetesh artistike muzikore.

21 qershori përveç se dita më e gjatë e vitit (solstici i verës) tashmë ka hyrë edhe në kalendarin shqiptar si dita e muzikës.

Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës bënë të mundur koncertin e këngëtares Manjola Nallbani, në Pallatin e Brigadave, ku publiku mundi të shijojë perla të muzikës popullore qytetare, një spektakël instrumentesh, tingujsh e efektesh vizive.

“Një udhëtim i bukur nëpër Shqipëri, nga Veriu, në Jug, në Shqipërinë e Mesme, Kosovë e Çamëri”, kështu e ka cilësuar ministrja e kulturës Elva Margariti.
“Një atmosferë e jashtëzakonshme mbrëmë në Pallatin e Brigadave, ku mes miqsh festuam Ditën Botërore të Muzikës! Nuk mund të festonim më bukur se me këngët tona” shprehet ministrja në një postim duke bërë edhe premtimin se Ministria e Kulturës do të vazhdojë të mbështesë aktivitete që promovojnë trashëgiminë tonë

Njëkohësisht, në Amfiteatrin e Tiranës, u zhvillua koncerti i një grupi të njohur këngëtarësh si Irma Libohova, Aleksandër Gjoka, Mentor Haziri, Gena, Bojken Lako etj. Koncerti pop rock i titulluar “Këngët e trevave” kishte gjithashtu mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës.

Por aktivitetet muzikore për Tiranën, nuk përfunduan me 21 qershorin. Po tek Amfiteatri i Tiranës, sot do të zhvillohet koncerti i grupit të njohur blues dhe rock “The Animals and Friends”. /atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme