“Djali i mirë, Jim Morrison”

2 Shtator, 2019 - 10:14 pm

Fotografi Frank Lisciandro, mik i liderit të The Doors, rrëfen vitet e kaluar në krah të tij mes drogërave dhe marrëzive të shumta. Si për shembull kur u vinte flakën çeqeve të babait…

Një rast i çuditshëm i kulturës orale, e madje edhe arkeologjisë së popit. “Jim Morrison. Një bisedë mes miqsh”, është vëllimi në të cilin Frank Lisciandro, fotograf dhe mik i liderit të grupit The Doors, përmbledh kujtimet e tij dhe të atyre që kanë ndejtur pranë tij, gjatë ekzistencës vetëm 27 vjeçare. Gjithçka përmes transkriptimit të bisedave që kanë ndodhur shumë kohë pas fakteve të ndodhura, domethënë mes njerëzish tashmë mjaftueshëm të rritur që, duke stimuluar njëri-tjetrin, i heqin pluhurin episodeve, emrave, marrëdhënieve, përpiqen të përshkruajnë atmosferën e kohës dhe përshkruajnë prirjet dhe frymëzimin e një prej artistëve më misteriozë të historisë së rockut. Në libër ka një ngut dhe një entuziasëm që të shkakton simpati, me dimensionin e pasaktë të kujtimit, me një dridhje emocionale që deh rindërtimin e besueshëm.

Efekti që të jep leximi është i kënaqshëm, edhe pse jo vendimtar: i ngjan një vështrimi të gjatë në një vend të caktuar të kohës, organizuar nga personazhi i gjallë që është Lisciandro, një italo-amerikan që është kthyer të jetojë në vendin e të parëve, një njeri krenar që ka qenë pjesë dhe ka luajtur një rol në ndërtimin e një prej legjendave popullore monumentale të Nëntëqindës.

Sepse kështu shihet nga të rinjtë Jim Morrison, edhe sot e kësaj dite: mjafton një xhiro në varrezën e Pere-Lachaise në Paris ku ndodhet varri i tij, në një ditë çfarëdo të javës, për të gjetur provën e ndikimit që ky personazh ka patur mbi breza të ndryshëm të rinjsh me shpirtëra të trazuar.

Zbulojmë në libër se Mbreti Karkalec, kur ishte vogëlush ishte një fëmijë si gjithë të tjerët, simpatik, i hapur, argëtues. Asgjë speciale, nëse nuk duam të konsiderojmë special kontekstin në të cilin u rrit, u formua dhe u forcua personaliteti i Jim. Një kalim historik për të cilin është e drejtë të themi moment magjik, apo atmosferë shumë të favorshme, po të mendojmë se ç’donte të thoshte të rriteshe në Kaliforninë e viteve Gjashtëdhjetë. Sidomos nëse kishe fatin, siç e pati Morrison, të frekuentoje shkollën e kinemasë së UCLA, universiteti i Los Angelesit, me kampusin e tij të mrekullive. Pjesa më magjepsëse e librit të Lisciandro është ajo ku, përmes zërit të bashkëmoshatarëve dhe shokëve të shkollës, si dhe eksperimenteve të vetë Jimit, ndërtohet zanafilla e ikonës së tij.

Një karrierë e munguar

Morrisoni personazh, para se të ishte këngëtar. Kështu mësojmë se ishte një lexues i zellshëm i Beats, por edhe psikanalistit Sandor Ferenczi, një antagonist i Freudit, të cilit ia vlerësonte teoritë mbi seksin. Më pas shfaqet qartë pasioni i parë i vërtetë i Jim, kinemaja, me ëndrrën e tij për t’u bërë regjisor, që për fat të keq nuk u realizua për shkak të ekspertizës së nevojshme teknika: u refuzua në provimin e artit delikat të montazhit dhe punimin që paraqiti në universitet e përgatiti duke bashkuar, në mënyrën më provokuese të mundshme, mbetjet e xhirimeve të një shoku të klasës.

Ridëgjojmë prej miqve të kohës, zanafillën e emrit The Doors, që Morrison e zgjodhi për një grup të cilit – dhe këtu bien të gjithë dakord – Morrison i atribuoi një interes dhe një pjesëmarrje të përhershme. Sidoqoftë, ideja i erdhi prej Aldous Huxleyt, i cili në vitin 1953 kish pirë një gotë plot me kristale meskaline, dhe që eksperiencës haliçinante që pasoi i kushtoi një libër: “Dyert e perceptimit”. I pëlqeu shumë Morrisonit, i cili në vitin 1965 me The Doors, nisi projektin muzikor bashkë me ish shokun e shkollës, Ray Manzarek. Zbulojmë më pas rolin mbizotërues që për Jim dhe miqtë e shkollës luante eksperimentimi me çdo lloj droge, udhëtimet në shkretëtirë, adhurimi i shiamanëve, përçmimi i alkoolit (të cilit më pas do i jepte një pjesë të madhe të stomakut të tij).

Dhe më tej, fakti që në kolegj Jim jetonte ende me çekun e prindërve, një ushtarak karriere dhe një nënë modele, dhe që ndonjëherë i pëlqente të skandalizonte miqtë e tij duke i vnë flakën njërit prej atyre çeqeve. Por ajo që mbizotëron në fund, është natyra e tij prej çuni të mirë – aspak “të mallkuar” – pakëz narcizist, naiv, entuziast dhe vërtetë brilant. Pjesa tjetër është histori.

Kur Lisciandro hyn në skenë, Morrison është tashmë i ndryshuar. Franku i pëlqen dhe është në çdo rast një njeri aparatesh fotografike dhe kamerash filmike, siç kish qenë ai vetë dikur, apo siç do i pëlqente të ishte. Lisciandro bëhet fotografi personal i kudogjendur i Morrisonit, tashmë div, gëzon autorizimin që ta përjetësojë gjithmonë dhe sido që të jetë, merr pjesë në jetën e grupit prapa kuintave, dhe veçanërisht në vagabondazhin e përhershëm të artistit që kërkonte frymëzim. Lisciandro koleksionon një sasi mbresëlënëse fotografish, disa prej të cilave i përdor në libër. Jo të jashtëzakonshme nga pikëpamja stilistike, por me interes të madh për të dokumentuar një epokë kaq shumë parateknologjike.

Një hyj në autostop

Dhe në një moment në vitin 1969, Lisciandro dhe Morrison janë kaq të afërt, sa të ndërmarrin së bashku një projekt të vërtetë kinematografik, duke iu rikthyer pasionit fillestar. Filmi quhet HËY. Eshtë një film eksperimental, realizuar me teknikën e kinemasë së drejtpërdrejtë, filmuar mes shkretëtirës së Mojaves dhe Los Angelesit, me Morrisonin në rolin e një autostopisti, një skenar zor të kuptueshëm dhe me pjesëmarrjen e poetit beat, Michael McClure. Duhet parë (është edhe në YouTube) për të plotësuar. Më mirë librin e Lisciandros dhe kapur një reflektim të klimës kulturore të këtyre historive.

Në 50 minuta filmim shihet Morrison që mishëron, qysh prej fonogramave të para – edhe pse pa ironi – një hyjni me xhinse, që del prej ujit. Dallohen qartë mjekra, çizmet dhe gjoksi gjithmonë zbuluar, që aq shumë kontribuan n ë popullaritetin e tij.

Shihet metafora e autostradës në shkretëtirë – ajo që të shpie drejt askundit – fotografuar me më shumë elemente psikedelike. Dëgjohen vargje të shpërndara, të recituar pothuaj pa dëshirë nga zëri i Morrisonit. Dhe mbetesh me sugjestionin e një fluturimi, të ethshëm dhe ekzaltues. Prej aty do të nisin shkëputja, arratitë dhe në fund ikja nga kjo botë në 1971. Një prej miqve të tij kujton se kur mësoi lajmin, e pushtoi një dhimbje e thellë. Por mbi të gjitha, mbeti shumë i zhgënjyer… /KultPlus.com

Të ngjajshme