Drake dhe The Weeknd bojkotojnë përsëri çmimet “Grammy”

16 Tetor, 2022 - 4:30 pm

Për të dytin vit radhazi, artistët kanadezë Drake dhe The Weeknd kanë zgjedhur që sërish ta bojkotojnë ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Grammy”.

Dyshja eminente janë shprehur kundër “politikave” që ndodhin në prapaskenat e Akademisë së Regjistrimit dhe organizatës kryesore që qëndron pas çmimeve, shkruan Daily Mail, transmeton Klankosova.tv.

I pari që e kishte hapur temën e bojkotimit të kësaj ceremonie prestigjioze ishte ylli i hitit “God’s plan”, i cili në vitin 2017 kishte drejtuar akuza se ndarja e çmimeve në këtë eveniment bëhet edhe në baza racore.

“Ky është një biznes ku ndonjëherë i takon një grupi njerëzish që mund të mos kuptojnë se çfarë ka për të thënë një fëmijë i racës së përzier nga Kanadaja ose se një vajzë spanjolle nga New York apo dikush tjetër”, kishte deklaruar Drake.

Ndërkaq, The Weeknd kishte njoftuar vendimin për bojkotimin e “Grammy” që në vitin 2021, mbi akuzat për mospërfillje të albumit të tij “After Hours”.

“Për shkak të komiteteve sekrete, unë nuk do të lejoj më labelin tim të paraqesë muzikën time në Grammy”, kishte thënë ai.

“Grammys” konsiderohen si çmimet më prestigjioze në industrinë e muzikës dhe votohen nga anëtarët e Akademisë së Regjistrimit, një organizatë elitare e përbërë nga interpretues dhe producentë të famshëm./ KultPlus.com

Të ngjajshme