Dua Lipa: Gjyshit tim i kërkuan serbët ta falsifikonte historinë e Kosovës, ai nuk pranoi dhe u pushua nga puna

15 Janar, 2021 - 11:01 am

Artistja shqiptare me renome botërore, Dua Lipa, së fundmi ka dhënë një intervistë ekskluzive për Revistën ‘Rolling Stone’ në Amerikë.

Dua Lipa së fundi ka qenë personazhi kryesor në revistën e njohur botërore, ‘Rolling Stone’.

Në intervistën e realizuar me këtë revistë, Dua ka folur edhe për periudhën kur u transferua në Kosovë si dhe për momentet e tmerrshme që familja e saj kishte përjetuar nga okupimi serb në Kosovë, duke i bërë që të largohen për në Angli.

Revista amerikane gjithashtu i ka dedikuar disa rreshta gjyshit të saj, historianit Seit Lipa, i cili dikur ishte edhe Drejtor i Institutit të Historisë në Prishtinë.

Dua ka kujtuar se si gjyshi i saj u pushua nga puna nga okupatorët serb, kjo pasi ai nuk pranoi të rishkruante apo thënë më mirë ta ‘falsifikonte’ historinë ashtu siç kërkuan ata.

“Familja e saj është familje shqiptare e Kosovës, refugjatë të konflikteve në Ballkan, dhe të dy gjyshërit e saj ishin historianë”, shkruan Revista Rolling Stone për këngëtaren shqiptare.

“Gjyshi im nga ana e babait tim po shkruante libra për gjithçka që po ndodhte”, shpjegon ajo. “Kur ndodhi okupimi, forcat serbe kërkuan që ai të rishkruajë historinë. Ai nuk pranoi dhe ai humbi punën e tij. Kështu që është pjesë e asaj që unë jam dhe qëndroj pranë gjërave në të cilat besoj”, ka thënë Dua Lipa për Rolling Stone. / KultPlus.com

Të ngjajshme