Dua Lipa me shumë kreativitet, ia dedikon çmimin të rinjve të Kosovës: Është në gjenet tona të lulëzojmë

11 Nëntor, 2021 - 9:32 am

Këngëtarja me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, është nderuar së fundmi me çmimin “Lidership i Dalluar” nga Këshilli Atlantik, shkruan KultPlus.

E shoqëruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila pati një fjalim të veçantë, Lipa u nderuar me një çmim tjetër ndërkombëtar.

Në këtë ngjarje ceremoniale këngëtarja me famë botërore Dua Lipa  tha se “ne (Kosova) kemi vetëm 13 vjet të pavarur në rrugëtimin tonë të pavarësisë dhe si pjesë e një komuniteti të fortë ndërkombëtar, ne do të lulëzojmë emocionalisht. Ne do të lulëzojmë ekonomikisht dhe kulturalisht”, tha ajo.

“Është në gjenet tona”. “A nuk do të ishte e përshtatshme nëse Kosova do të mund të zinte vendin e saj brenda atij bashkimi paqësor, të lulëzonte ekonomikisht përkrah fqinjëve tanë dhe të shëronte dhimbjen e konfliktit? Me këtë vizion në mendje, unë e pranoj këtë çmim me mirënjohje për të gjithë të rinjtë e Kosovës”, ka thënë Dua Lipa.

Ky çmim ka të bëjë me individët shembullorë që kanë kontribuar në misionin e këtij organi për të formësuar së bashku të ardhmen globale në një gamë të gjerë fushash./ KultPlus.com

Të ngjajshme