Dua Lipa: Sado që të jetë e madhe ëndrra e juaj, ju mund të realizoni atë në qoftë se përkushtoheni për të

4 Gusht, 2022 - 3:58 pm

Sot është mbajtur konferenca për media e SunnyHill Festival, ku është diskutuar mes tjerash numri i vizitorëve, mesazhi i Dua Lipës dhe shumëçka tjetër, shkruan KultPlus.

Në një sallë të mbushur, hyrja e Dua Lipës u përcoll me shumë dashuri nga i gjithë publiku dhe të gjithë po e shikonin me ngazëllim atë.

Dukagjin Lipa, falënderoi të gjithë për mbështetjen dhe përkrahjen, pa të cilën edhe nuk do të mund të organizohej ky festival.

“Ju falënderoj për përkrahjen e juaj, pa të cilën nuk do mund ta organizonim gjithë këtë festival. E falënderoj Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e gjithëve që keni ardhur këtu. Siç e dimë në të gjithë botën e patëm një ndalesë të madhe, atë të COVID-19, por pas dy viteve tani po organizojmë festivalin më të madh në rajon, organizojmë festival në vendin ku e gjithë bota nuk e pret. Organizojmë në një vend që ka pasur trazira të shumta dhe vazhdon me pas trazira të tilla. Me vite me dekada e gjenerata, na kanë përcjellur probleme pak me fajin e fqinjëve, pak me fajin tonë por ne po ia dalim që të mbështetemi në gjërat pozitive”, thotë Dukagjin Lipa mes tjerash.

Ndërkaq, Dua Lipa u shpreh shumë e lumtur për këtë festival dhe ndjehet shumë krenare të performojë në vendlindjen e saj.

“Faleminderit për suportin, për ndihmën dhe dashurinë që po na jepni çdo ditë që ne ta bëjmë një festival të tillë. Ndihem shumë krenare që jam këtu, që kam mundësi me e sjell performancën. Kemi me u kënaq shumë sonte. Faleminderit shumë, po ndihem shumë mirë që në shtëpinë dhe vendin time me e bë një gjë të tillë”, tha këngëtarja me famë botërore.

Në anën tjetër, Përparim Rama falënderoi nga zemra Dua Lipën për dashurinë e saj ndaj Kosovës.

“Përmes këtij festivali do të promovohen edhe shumë të rinj të tjerë. Ne si kryqytet do të bëjmë çmos që të ndihmojmë gjithë këtë proces. Kam kënaqësinë e madhe që të njoftoj se kemi vizitu zonën e re, e cila në fakt është e vjetër, dhe është mbetur mbrapa me dekada të tana. Tani do të aktivizohet si rezultat i Sunny Hill Foundation. Kemi qenë aty me Dugin dhe kemi bisedu që t’i transformojmë disa pjesë, ku Sunny Hill do ta ketë mundësinë që të trajtojë një numër të madh të talentëve të rinj, sikurse në produksion, në këndim, në scrap-writing e shumë gjëra të tjera. Ajo pjesë do të jetë për talentët tanë, e me eksperta botërorë të kenë qasje të drejtpërdrejt në zhvillimin e talentit të tyre”.

Në mesin e shumë mediave të huaja dhe vendore në dhomën e konferencës, në një pyetje nga gazetarët, Dukagjin Lipa vazhdoi të insistojë se i gjithë SunnyHill Festival synon që të promovojë talentët e rinj.

“Derisa ne po mundohemi që të bëjmë çdo gjë që të sjellim evente kulturore në gjithë vendin, ne kemi një numër të madh të njerëzish në Kosovë që nuk e kanë të mundur udhëtimin jashtë, pa viza. Po fillojmë nga sot edhe kampanjën tonë për liberalizimin e vizave, që do ta promovojmë në atë nivel që të jetë një trend global. Do ta shihni sapo të jeni aty”.

E pyetur nga gazetarët se si ndjehet për faktin që ajo idollizohet nga shumë të rinj në Kosovë dhe vetë presidentja Vjosa Osmani.

“Jam shumë e lumtur me njerëzit në vendin tim. Ndjehem jashtëzakonisht e emocionuar dhe shumë e privilgjuar për këtë fakt”.

Performanca e sotme, veshje speciale për Dua Lipën

Lipa njoftoi se për këtë mbrëmje do të ketë një veshje speciale, derisa paraqitja e saj pritet që të përcillet me shumë dashuri nga i gjithë publiku.

“Ndjenjë shumë e mirë me ardhë me përformu në Prishtinë. Mezi po pres me i ndje emocionet përpara se me dalë në skenë”.

Më shumë se 25 mijë vizitorë

Dukagjin Lipa tregoi se në këtë festival pritet që të ketë më shumë se 20 mijë pjesëmarrës nga vende të ndryshme, përpos qytetarëve të Kosovës.

“Kemi planifikuar që të mbahet fillimisht në lokacionin e parë me 40 mijë pjesëmarrës, por tani mund të konfirmoj, jo saktësisht me shifra, por ky do të jetë edicioni më i madh i Sunny Hill ndonjëherë, me line-upin më të mirë”.

Mesazhi i Dua Lipës për rininë e Kosovës

“Dua që të them se sado që të jetë e madhe ëndrra e juaj, ju mund të realizoni atë në qoftë se përkushtoheni për të. E besoj fuqishëm këtë. Mendoj që mundësitë tona mund të arrihen në të gjithë botën. Dhe shpresoj që së shpejti të kemi edhe liberalizimin e vizave që të vazhdojmë edhe më tutje në Evropë. Vazhdoni të ëndërroni, gjithçka është e mundur, unë jam këtu të ju mbështes në çfarëdo forme”.

SunnyHill Festival veçse ka filluar, derisa performanca e Dua Lipës në Parkun e Gërmisë pritet që të fillojë pas mesnate. /KultPlus.com

Të ngjajshme