Dy kore kroate sonte me koncert në Prishtinë

8 Prill, 2018 - 9:45 am

Dy ansamble korale me mbi 70 këngëtarë do të prezantohen të dielën mbrëma me koncert si epilog i edicionit të 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës DAM, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Kori “Slavulj” nga Petrinja dhe Kori Akademik i Burrave të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Informatike nga Zagrebi do të marrin urdhrat e dirigjentit eminent kroat Josip Delg’ Ivellio në koncertin i cili do mbahet mbrëmjen e 8 prillit në amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare (ish-instituti i Historisë) në Prshtinë.

“Këto dy kore janë duke mbajtur një turne në Kosovë dhe para Prishtinës janë prezantuar me koncerte në Pejë dhe Klinë në kuadër të bashkëpunimit në mes tyre dhe Korit të qytetit të Pejës “Siparantum””, thuhet në komunikatë.

Mes tjerësh në koncert do të interpretohen vepra nga Domenico Bartolucci, Nikolai Rimski Korsakov e Miho Demoviq ndërsa poashtu do të interpretohet edhe vepra “Agnus Dei” nga dirigjentit e kompozitorit kosovar Memli Kelmendi, vepër kjo e cila është interpretuar në shumë vende të botës nga ansamble të ndryshme.

Koncerti fillon në orën 20:00 ndërsa është organizuar nga Festivali DAM në bashkëpunim me Korin Siparantum./KultPlus.com

Të ngjajshme