EBU-ja përjashton televizionet ruse, Kosova me strategji të re drejt anëtarësimit

30 Maj, 2022 - 1:41 pm

Këtë javë Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) ka pezulluar zyrtarisht transmetuesit e tij anëtarë rusë nga Organizata.

RTR-ja, Channel One dhe Radio Dom Ostankino tani janë pezulluar nga Unioni Evropian i Transmetuesve, pas një vendimi unanim nga Komiteti Ekzekutiv në fillim të kësaj jave. Konfirmimi i vendimit iu dërgua të gjithë transmetuesve anëtarë të EBU-së me një deklaratë, transmeton Zeri.info.

“Në emër të Komitetit Ekzekutiv, dëshiroj t’ju informoj për vendimin e marrë nga Këshilli për tre anëtarë rusë të EBU-së (RTR, Channel One dhe Radio Dom Ostankino) në mbledhjen e tij të djeshme. Bazuar në masat e marra nga Këshilli Ekzekutiv në mbledhjen e tij të fundit më 7 prill, kur nisi procedurën e pezullimit, Këshilli vendosi njëzëri të pezullojë menjëherë tre anëtarët rusë të EBU-së për një kohë të pacaktuar, të cilat Bordi Ekzekutiv do t’i shqyrtojë rregullisht”, thuhet në deklaratë.

Tre transmetuesit rusë i bashkohen transmetuesit bjellorus BTRC, i cili vitin e kaluar u pezullua gjithashtu nga EBU-ja.

EBU-ja e ndaloi Rusinë të marrë pjesë në “Eurovision 2022”, pas thirrjeve nga transmetues të shumtë për ta bërë këtë pas pushtimit rus të Ukrainës. Në përgjigje të kësaj, Channel One, VGTRK dhe Radio “Dom Ostankino” deklaruan se do të tërhiqen nga EBU-ja.

Rusia jashtë, Kosova brenda

Radiotelevizioni i Kosovës tash e disa vjet është refuzuar nga EBU-ja, pasi sipas tyre Kosova nuk i plotëson kushtet për të qenë anëtare e plotë në këtë organizatë, duke ia mohuar kështu edhe pjesëmarrjen në Eurovision, shkruan Zeri.info.

Burime të “Zërit” brenda RTK-së kanë bërë të ditur se menaxhmenti i ri i televizionit publik është duke përgatitur një strategji për të aplikuar për anëtarësim në EBU, ndërsa të njëjtët janë ftuar edhe në Asamblenë e Përgjithshme të EBU-së, e cila më 30 qershor do të mbahet në Zagreb të Kroacisë.

Ky moment nga Kosova po shihet si një mundësi e mirë për anëtarësim në EBU në mungesë të Rusisë dhe Bjellorusisë, dy prej vendeve që kanë kundërshtuar në vazhdimësi çdo iniciativë të Kosovës.

Mësohet se një delegacion nga RTK-ja do të marrë pjesë në Asamblenë e EBU-së, ndërsa do të shihen mundësitë për anëtarësim dhe pjesëmarrje në Eurovisionin e vitit të ardhshëm.

Shumë artistë kosovarë kanë prekur skenën e Eurovisionit, duke përfaqësuar shtete tjera në pamundësi për ta përfaqësuar Kosovën, ndërsa një fushatë bashkë me një peticion i hapur kohë më parë tashmë ka marrë mbi 10 mijë nënshkrime, ku i bën thirrje EBU-së ta pranojë Kosovën në Eurovision. / KultPlus.com

Të ngjajshme