Edicioni i 18-të i Festivalit ReMusica, një hapje e fuqishme nga Trio Elogio

25 Maj, 2019 - 6:00 pm

Alberina Haxhijaj

Dhjetëra njerëz ju përgjigjën ftesës së edicionit të 18-të të Festivalit ReMusica, nën moton “Guxo të dashurosh”. Një moto e cila përmes muzikës kërkon që vëmendja të kthehet te dashuria dhe tek guximi për të reaguar ndaj pabarazive dhe padrejtësive. Ky edicion u hap mbrëmë, në sallën e mbushur plotë në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. Hapjen e bëri trioja e njohur “Guitar Trio Elogio”, e përbërë nga instrumentistët Tomisllav Vukshiq, Pedro Ribeiro Rodrigues, të udhëhequr nga kitaristi me famë botërore Petrit Çeku, shkruan KultPlus.

Këta tre mjeshtër të kitarës i kujtuan mbrëmë publikut se sa instrument specifik dhe i veçantë është kitara. Tingujt që krijonin, rrjedhin nga njëra kitarë në tjetrën duke krijuar në fund një rrjedhë të vetme, të fuqishme e të pastër muzikore, që vinte në pah zotësinë e këtyre instrumentistëve dhe potencialin e këtyre veprave edhe në një formacion të tillë. Mbrëmja filloi me një aranzhim të sonatës No, 8, të Mozartit të bërë nga kitaristi Petrit Çeku. Një aranzhim i cili ju mundëson këtyre tre kitaristëve të kenë një repertor më të pasur pasi që kompozime të tilla për kitare ka shumë pak. Vet instrumenti nuk mundëson shumë kombinime pasi që ka vetëm gjashtë tela. Mirëpo përtej kësaj ky aranzhim është i veçantë për kitaristin nga Prizreni edhe për arsye të tjera.

“Kjo sonatë e Mozartit është si një lloj ‘soundtrack’ i jetës sime, i rinisë dhe jam shumë i kënaqur që me trion po e luajmë nëpër koncerte, e sonte e patëm rastin edhe në Prishtinë”, theksoi Çeku për KultPlus.

E pas çdo vepre, ajo që binte në sy ishte puna dhe angazhimi që është kërkuar për të luajtur këto vepra në një formacion të tillë, e që vërehet edhe nga fakti se sa kohë u duhej instrumentet që të akordoheshin, në çdo pushim mes pjesëve.

“Kitara është instrument i rrallë në festivalet e muzikës në përgjithësi, ne e kemi një botë tonën që e kemi kriju vet, një mikro kozmos ku i kemi festivalet ekskluzivisht për kitare pasi që festivalet tjera nuk po na marrin aq shpesh. Mirëpo jam shumë i kënaqur që në festivalin ReMusica, DAM Festival, atë të muzikës kamertale, e në festivalet që krijojnë dhe mirëmbajnë kulturën në Prishtinë, kam qenë dhe kam luajtur disa herë. Kjo më kënaq pasi që në këtë mënyrë unë e kthej një porcion, një farë ndjenjë morale e obligim moral që kam ndaj tyre pasi që këto festivale mua më kanë ndihmu për tu njoftuar me botën e muzikë në vitet kur ende kam jetuar në Kosovë”, vazhdoi tutje kitaristi Çeku.

Këtij koncerti ju dha edhe një ngjyrim autokton përmes tri copëzave muzikore të shkurtra të kompozuara nga Rafet Rudi e që lidhen me folklorin. Kompozitori këto copëza i kishte shkruar gjatë viteve të 90-ta atëherë kur ishte fokusuar në kompozimin e copëzave të tilla të cilat në fakt ishin përpunim i këngëve të njohura shqipe. Mirëpo edhe pse të kompozuara vite me parë, këto pjesë nuk ishin luajtur derisa kitaristi Petrit Çeku kishte shfaqur interesim duke i bërë kështu të jetojnë përsëri.

Kopozitori Rafet Rudi ka treguar për KultPlus se pikërisht interesimi i Çekut ka bërë që ai para dy viteve të ju rikthehet këtyre pjesëve duke i adaptuar për Trio Guitar Elogio.

“Deri në 30 -40 vjetshin e fundit nuk ka pasur literaturë të mjaftueshme për kitarë e aq më pak për një formacion çfarë e pamë sonte. Nuk ka pasur as literaturë mbi të cilën në kompozitorët dikur të rinjë është dashur që të bazoheshim për dallim nga instrumentet tjera. Natyrisht nuk është lehtë të shkruash por unë një pjesë të madhe të krijimtarisë instrumentali pikërisht ia kam dedikuar instrumentit të kitarës. Në këto 40 vite kam shkruar një mori veprash, koncertesh e copëzash të tjera për këtë instrument falë bashkëpunimit që unë kam pasur me kitaristin tonë me famë të madhe Ehat Musa, e tash edhe me Petritin”, theksoi Rudi.

Kjo mbrëmje pati në fokus kitarën, mirëpo gjatë këtij edicioni të Festivalit ReMusica, publiku do të ketë mundësi që të dëgjojë edhe instrumente të tjera po kaq të veçanta. Pikërisht ky edicion ka në fokus tubën, instrument i cili nuk vihet shumë në pah, tregoi për KultPlus, drejtoresha e festivalit Donika Rudi.

“Gjithmonë mundohemi me i sjellë disa tema, ose instrumente të cilat nuk janë shumë të dëgjuara dhe tuba sivjet është në fokus. Si festival mundohemi të bëjmë një agjendë që i përshtatet vendit dhe agjendës kulturore e cila në fakt nuk ekziston, mirëpo që krijohet përmes festivale e organizimeve të ndryshme. Kështu që, në fokus gjithmonë e kemi pasur sjelljen e instrumenteve më pak të dëgjuara në vend”, theksoi Rudi.

Sonte në kuadër të Festivalit ReMusica duke filluar nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare do të jetë violinistja Vira Zhuk dhe pianistja Mariam Vardzelashvilli./KultPlus.com

Të ngjajshme