8 Korrik, 2025 - 12:33 pm
Muzika, duke qenë një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të kulturës dhe artit në përgjithësi, arrin të lë gjurmë me elementet determinuese të saj. Një zhvillim i tillë i muzikës si art e kulturë vjen me festivalin “International Opera Festival” organizuar tash e pesë vjet nga tenori Rame Lahaj.
Edicioni i pestë i “Rame Lahaj International Opera Festival” vjen me moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure”, duke përçuar kështu jo vetëm një moto por edhe përpjekjen për të promovuar frymën muzikore të Kosovës.
Ky festival i organizuar nga data 23 korrik deri më 2 gusht, për plot 10 ditë do të promovojë aktivitete muzikore e të larmishme për pjesëmarrësit dhe dashamirët e artit të muzikës. Për herë të parë Kosova gëzon festivalin edhe në komuna tjera përpos Prishtinës, si në Pejë e Mitrovicë. Festivali kurorëzohet me mbrëmjen e Gala Night më 2 gusht, mbrëmje që do të prezantohet prej orës 20:30, në sheshin Sënderbeu në Prishtinë.
Gala Night “Rame Lahaj & Friends” ka rezervuar për pjesëmarrësit një mbrëmje të paharrueshme me performancën madhështore të Nino Machaidze, një prej artisteve dhe sopranove që ka interpretuar në skenat më të mëdha botërore. Performanca e muzikës së lartë klasike do të na sjell edhe figura të tjera të shquara si Dario Russo një bas italian i specializuar në repertorin bel canto, Rame Lahaj dhe dirigjenti Roberto Rizzi Brignoli, i cili edhe do të dirigjojë mbrëmjen e festës së artit.
Motoja “Rame Lahaj & Friends” i thërret jo vetem idesë së promovimit të kulturës klasike por edhe më gjerë, bashkimit të kulturave të ndryshme si një e vetme. Andaj Gala Night përpos rëndësisë muzikore, bart edhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Tri netët e para të festivalit, më 23 korrik në hapsirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, 24 korrik në American Retail Park Interex, Pejë dhe 25 korrik në Pikën kryesore Interex, Mitrovicë, do të vijnë me homazh për figurën madhështore të muzikës e kulturës shqipe, Nexhmije Pagarushës.
Përpos shpalosjes së vlerave muzikore shqipe, shohim se Lahaj synon të shpalos edhe kujtesën kolekive, ruajtjen dhe trashëgiminë e të kaluarës dhe personazhet kryesore që e përfaqësojnë. Arti i Pagarushës rikthehet edhe një herë i gjallë në skenë me pjesëmarrjen e artistëve të njohur brenda dhe jashtë vendit: Gala El Hadidi, Edona Reshitaj, Arbëreshë e Adhurim Grezda.
Kurse 27 korriku vjen me natën Educating the audience for the future, një natë kushtuar audiencës dhe publikut me ç’rast edhe shpërfaqet rëndësia edukative që ka festivali, ku pos të tjerave ofrohet edhe mundësia e aplikimit në Masterklasë Këndimi me mjeshtrin Ramon Vargas. Mundësi kjo që i hap rrugët për studiuesit e muzikës, nga datat 24 korrik deri më 29 korrik, si nata e New Generation, Univertiteti i Arteve në Prishtinë.
Më 28 korrik në orën 20:30 mbahet Opera Night në hapësiren e jashtme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, dhe udhëhiqet nga një prej sopranove më të sukseshme të Kosovës në skenat ndërkombëtare, Marigona Qerkezi, e cila do të sjellë në skenën shqiptare kryevepra botërore nga Bellini, Verdi, Puccini, pjesë nga kompozitorë shqiptarë dhe tingujt satirikë të Bernstein-it dhe Gershëin-it.
Skena shqiptare e Kosovës dominohet nga yjet e skenës botërore edhe më 30 korrik. Në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, në 20:30, në skenë ngjitet edhe Anita Rachvelishvili.
Anita Rachvelishvili si artiste e shkëlqyer e Sony Classical përfshin albumet e shumëvlerësuara Anita ( 2018) dhe Elegie ( 2021), gjithmonë duke na dëshmuar aftësinë dhe ambiciet e rralla të zërit të saj. Ajo na paraqet prezencën e saj magjepsëse me zërin e saj për herë të parë në Kosovë e shoqëruar gjithashtu nga Ansambli i Festivalit Rame Lahaj.
Festivali i Rame Lahaj , si pjesë e ngjarjeve më të rëndësishme të muzikës, vjen edhe një herë me tërë madhështinë e tij në një përvjetor jubilar , duke kryqëzuar figurat ndërkombëtare nën rëndësinë muzikore dhe duke lënë gjurmë në organizimet kulturore në Kosovë dhe më gjerë./ KultPlus.com