Edicioni i tretë i “Kosova Brass Festival” i kushtohet ansambleve të tunxhit me instrumentistë mbarëkombëtar

17 Dhjetor, 2018 - 5:00 pm

Me masterklasë të Ilir Kodhimës, kornistit të parë në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë, e cila është mbajtur në qytetin e Gjakovës, ka filluar faza e dytë e edicionit të tretë të Kosova Brass Festival, shkruan KultPlus.

Pas fazës së parë të festivalit në janar të këtij viti ku pjesëmarrës të festivalit ishin instrumentistë ndërkombëtar me renome botërore si Otto Sauter dhe Daniel Crespo, Kosova Brass Festival vazhdon me fazën e dytë e cila përveç masterklaseve, në veçanti do t’i kushtohet ansambleve të tunxhit me instrumentistë mbarëkombëtar.

Faza e dytë e edicionit të tretë do të përmbajë dy koncerte. Me 18 dhjetor në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare me fillim ne ora 19:00, do të paraqitet “Kosova Brass Orchestra” ndërsa më 19 dhjetor në Sallën e Filharmonisë së Kosovës, me fillim ne ora 19:00 mbahet mbrëmja e ansambleve mbarëkombëtare të tunxhit.

Masterklase në Fakultetin e Muzikës në Prishtinë do të mbajnë edhe trombonistët dhe pedagogët e Universitetit të Tiranës, Romeo Mano dhe Alban Zadeja.

Festivali organizohet nga instrumentistët dhe pedagogët e tunxhit, Betim Krasniqi – trombonist dhe Avni Krasniqi – trumpetist, ndersa realizohet me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës./ KultPlus.com

Të ngjajshme