25 Qershor, 2025 - 10:56 pm
Flonja Haxhaj
Mbrëmjen e kaluar, publiku në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë, pati mundësinë të dëgjojë vepra të kompozitorëve të njohur, në koncertin recital të sopranos Edina Pllana dhe të ftuarës së saj speciale, sopranos Fiona Llapashtica, nën shoqërimin e pianistit Agron Shujaku, shkruan KultPlus.
Koncerti u hap me veprën ‘Në mes dashurive’ të kompozitorit të njohur shqiptar Çesk Zadeja, me një interpretim të ndjerë nga sopranoja Pllana, duke përgatitur publikun për një mbrëmje të veçantë që do ta shoqërojë në vazhdim.
Pas kësaj performance, në skenë u sopranoja Fiona Llapashtica, e cila solli veprat ‘Wenn mein Schatz’ nga Gustav Mahler dhe ‘Der Spielmann’ nga Robert Schumann, interpretime këto që u përcollën me duartrokitje të ndjera nga publiku.
Më pas, vepra ikonike, ‘Senza Mamma’ e Giacomo Puccinit, një arie e thellë dhe prekëse, u përçua edhe tek pjesëmarrësit, teksa u interpretua ndjeshëm nga Edina Pllana.
Më tej, dy sopranot u bashkuan për të interpretuar veprën ‘Die Schwestern’ të Johannes Brahms, një bashkëpunim që solli një harmoni të përsosur vokale dhe shpirtërore.
Një pikë e veçantë e mbrëmjes ishte edhe prezenca e pianistit të ftuar Shpëtim Mehmeti, i cili interpretoi me finesë dhe ndjeshmëri veprën ‘Élégie in E+ minor’ të Sergei Rachmaninoff.
Programi vazhdoi me një tjetër arie të Puccinit, ‘Si, mi chiamano Mimi’, e interpretuar nga Edina Pllana, duke sjellë në skenë personazhin e Mimit nga opera ‘La Boheme’. Fiona Llapashtica pasoi me veprën dramatike “Der Zwerg” të Franz Schubert dhe më pas me elegjinë ‘Dido’s Lament’ nga Henry Purcell.
Ndërkaq, ky koncert u përmbyll me interpretimin e Edina Pllanës në veprën “Pace, pace mio Dio” të Giuseppe Verdit, një arie komplekse që i dha një tjetër dimension kësaj mbrëmje.
Pas koncerti, mes emocionesh, Edina Pllana foli për KultPlus rreth koncertit, bashkëpunimin e Fiona Llapashticën si dhe për përzgjedhjen e repertorit të kësaj mbrëmje.
“Ka qenë një koncert shumë i veçantë sidomos për faktin që kisha nderin ta kem Fiona Llapashticën në skenë e cila performoi këngët në mënyrën e saj më perfekte të mundshme. Shpresoj që kjo ka qenë një inspirim për të gjithë njerëzit që dëgjojnë muzikë dhe që e përcjellin artin në përgjithësi. Ka qenë kënaqësi të bashkëpunoj edhe me pianistin Agron Shujaku pianistin Shpëtim Mehmeti. Repertorin e kam përzgjedhur vetë sepse janë shumë të veçanta për mua”, theksoi Pllana.
Ndërkaq, e ftuara special, Fiona Llapashtica, u shpreh e lumtur që ishte pjesë e këtij koncerti. Ajo po ashtu ndau me KultPlus edhe për planet e saj në të ardhmen.
“Ndihem shumë e nderuar që Edina më ka ftuar për këtë koncert edhe të performoj në këtë skenë. Kjo ka qenë edhe premierë për mua sepse asnjëherë nuk kam performuar në skena të tilla. Këngët që i kam interpretuar më pëlqejnë shumë dhe mendoj se gjithçka ka shkuar shumë mirë. Në fund të korrikut do të kem një koncert me masterclass me Ramë Lahaj këtu në Prishtinë. Po ashtu do të kem një koncert të enjten në Vjenë bashkë me klasën time të fakultetit”, tha Llapashtica duke shtuar mes tjerash që planet e tjera të saj do të fillojnë nga shtatori.
Për KultPlus foli edhe pianisti Agron Shujaku, i cili vlerësoi këtë koncert, si dhe sopranon Edina Pllana që sipas tij është në ngritjen e saj profesionale.
“Ky koncert qenë një bashkëpunim me Edinën. Edina është një solokëngëtare e re e cila sapo ka përfunduar shkollimin në master dhe aktivisht është duke u marrë me ngritjen e saj profesionale. Ka qenë rezultat i bashkëpunimit për gati dy muaj prova me Edinën dhe me mysafiren e saj Fionën. Mendoj që ky është vetëm një hap i parë për Edinën, mund të them se ka thyer akullin për koncertet e ardhshme që do t’i ketë”, tha Shujaku, duke shtuar se Edina Pllana është një soprano që premton shumë dhe se këto janë vetëm hapat e saj të parë./KultPlus.com