7 Gusht, 2025 - 12:02 pm
Ylli shqiptar me famë botërore, Dua Lipa, ka publikuar së fundmi një video ekskluzive në platformën e saj Service95, ku sjell momente të veçanta nga prapaskenat e edicionit të sivjetshëm të Sunny Hill Festival 2025, i mbajtur në Prishtinë.
Në këtë rrëfim vizual, ajo flet me emocion për rikthimin në vendlindje dhe për përgatitjet intensive që kanë paraprirë natën e parë të festivalit, ku ajo performoi para publikut vendas në një atmosferë magjike. E rrethuar nga familja dhe ekipi i saj, Dua ndan një histori personale që fillon nga koncerti i saj i parë në Prishtinë, në vitin 2016, deri te zhvillimi i një festivali me përmasa ndërkombëtare.
“Koncerti im i parë në Prishtinë ishte në vitin 2016. Po bëja një turne në Europë dhe mendova: nëse po performoj nëpër kontinent, patjetër duhet të kthehem edhe në shtëpi dhe të jap një koncert,” rrëfen ajo në video. “Me ndihmën e babait tim, e organizuam si një koncert bamirësie për Fondacionin Sunny Hill.”
Ajo thekson se suksesi i atij eventi u kthye në shtysë për të krijuar diçka më të madhe, një festival që sot sjell në Kosovë emra të njohur të muzikës botërore dhe artistë nga mbarë rajoni.
“Ishte një ide shumë e madhe, madje paksa frikësuese, por e ndërtuam me familjen. Donim të sillnim një imazh ndryshe për Kosovën, më pozitiv, plot jetë, kulturë dhe energji të reja.”
Videoja përfshin momente intime përpara se ajo të ngjitej në skenë: ngrohjet vokale, përgatitjet me grupin dhe atmosferën elektrizuese pas kuintave. Një nga pjesët më prekëse është kur ajo tregon për një mysafir shumë të veçantë atë mbrëmje:
“Sonte do të këndoj një këngë në shqip, dhe do të kem në skenë babain tim. Ai është frymëzimi im më i madh.”
Për Duan, ky rikthim në Prishtinë është më shumë se një koncert, është një kthim në rrënjë, një “homecoming” emocional, ku ndan skenën me babanë e saj, Dukagjin Lipa, një ish-muzikant dhe një nga figurat kyçe në organizimin e festivalit.
Në fund të videos, ajo shpreh mirënjohjen për gjithçka që është arritur deri tani, me shpresën që Sunny Hill të vazhdojë të rritet dhe të bëhet një pikë referimi kulturore për rajonin.
“Ka gjithmonë një energji të veçantë në Kosovë gjatë verës. Tani është edhe më shumë. Dhe unë e dua këtë, sidomos kur jam pjesë e saj me familjen time.”/Service95/KultPlus.com