Ekskluzive për KultPlus: Erza Muqolli kontratë me dy shtëpi muzikore në Francë

20 Mars, 2019 - 9:21 pm

Erza Muqolli do të bashkëpunojë në këtë album me kompozitorin e njohur francez Vianney. I çertifikuar dy herë me albume platini, Vianney është një ndër këngëtarët dhe kompozitorët francez që është vlerësuar me çmimet më të rëndësishme në Francë dhe jashtë saj, shkruan KultPlus.

Erza Muqolli e cila ka shënuar një sukses shumë të madh me këngët e saj në Francë, tashmë ka nënshkruar kontratë me dy shtëpi muzikore në Francë, dhe brenda vitit do të prezantohet me albumin e saj të parë solo, shkruan KultPlus.

Mehmet Muqolli, menaxheri i Erza Muqollit ka konfirmuar për KultPlus se tashmë kjo kontratë është nënshkruar dhe këngët do të bëhen në bashkëpunim me tekstshkruesin, këngëtarin dhe kompozitorin më të njohur francez Vianney.

“Do të jetë një album shumë i veçantë, është duke u përgatitë një album madhështor, do të jetë një album i mirë jo vetëm për francezët, por edhe për shqiptarët. Ky projekt është një projekt që do të sjellë risi në muzikën franceze, por edhe në atë botërore”, ka thënë Muqolli për KultPlus.

Kurse Erza Muqolli ka treguar për KultPlus se ky album do të përbehet nga 12 këngë.

“Publikimi i albumit besoj që do të realizohet në fund të këtij viti, kurse videoklipi i parë po nga ky videoklip do të publikohet rreth muajit maj ose qershor”, ka thënë Erza Muqolli, e cila poashtu ka njoftuar se ky album do të shënojë edhe rrugëtimin e saj në karrierën muzikore si e rritur.

Kurse Mehmet Muqolli ka treguar se tematika e këngëve do të jetë e ndryshme, por ai ka thënë se ka edhe dicka shumë të rëndësishme rreth këtij albumi, por sipas tij, ai këtë eksluzivitet do ta ndajë poashtu me KultPlus, sapo të vijë momenti i duhur.

Erza Muqolli me këngët e saj si e vogël është konsideruar si një ndër fëmijët më të suksesshëm në Francë. Ajo poashtu është prezantuar në skenë edhe me artistët më të mëdhenjë shqiptarë si: Dua Lipa, Inva Mula e artistë të tjerë të rëndësishëm.

Kurse ky bashkëpunim me kompozitorin e njohur francez, konsiderohet të jetë një etapë tjetër për Erza Muqollin, pasi që përgatitjet rreth këtij albumi premtojnë sukses të madh./KultPlus.com

Të ngjajshme