Elbenita Kajtazi do të këndojë në njërën nga shtëpitë operistike më prestigjioze në botë

23 Shtator, 2018 - 3:42 pm

Sopranoja nga Kosova, Elbenita Kajtazi po shkelë tashmë skenat më të njohura operistike ndërsa së fundmi ka njoftuar se do të këndojë në një ndër shtëpitë operistike më prestigjioze në botë, në “The Glyndenbourne Opera House” në Angli, shkruan KultPlus.

Elbenita Kajtazi tutje ka njoftuar se do të këndojë e përformojë rolin kryesor, Adina nga opera Donizettit “L’elisir D’amore” dhe meqenëse performanca e saj do të mbahet në vitin 2020, ajo nuk ka dashur të zbulojë informacione të tjera.

“Përshëndetje miq të dashur , jam e stërlumtur t’iu informoj se tash së fundi kam nënshkruar një kontratë në të cilën më është ofruar të këndoj në një ndër shtëpitë operistike më prestigjoze në botë “The Glyndenbourne Opera House” në Angli. Do të këndoj e performoj rolin kryesor Adina nga opera e mrekullueshme e Donizettit “L’elisir D’amore”. Do të performoj në vitin 2020 në muajin qershor dhe korrik andaj është pak herët për informacione të tjera. Shumë e lumtur t’i kthehem rrugës time me lajme kaq të mira për mua dhe njerëzit të cilët i dua e janë gjithmonë pranë meje dhe të cilët gjithnjë i falemnderoj për mbështetjen dhe dashurinë”, shkruhet në postimin e sopranos Elbenita Kajtazi.

Pasi ka falënderuar të gjithë për përkrahjen ajo ka ndarë edhe një porosi motivuese për të gjithë.
“Një gjë të fundit: Kurrë mos hiqni dorë nga ëndërrat, ka gjithmonë një rrugë për ti bërë realitet!”, ka shkruar Kajtazi./ KultPlus.com

Të ngjajshme