Elbenita Kajtazi hap festivalin ‘ReMusica’, mbush zbrazëtinë e koncertit pa publik përmes interpretimit të veprave të njohura

13 Shtator, 2021 - 11:37 pm

Sot, ka filluar festivali i muzikës ‘ReMusica’.

Natën e parë të edicionit të 20-të të ‘Remusica’ e hapi sopranoja e njohur kosovare, Elbenita Kajtazi dhe pianistja, Camille Lemonnier, përcjell KultPlus.

Sopranoja Kajtazi përformoi nën shoqërimin e pianistes në sallën pa publik për shkak të situatës pandemike. Ndonëse koncerti u përcoll virtualisht, Kajtazi mbushi zbrazëtinë nga mungesa e publikut në sallë duke interpretuar veprat e Strauss, Liszt, Chopin, Massenet, Puccini, Gronoud, Mulliqi, Gjergj Kaqinarit e Edon Ramadanit.

Në natën e parë të ReMusica u shfaq edhe dokumentari i shkurtër me regji të Hana Agimit, ‘ReMusica 20 vjet’ i cili paraqet këtë festival në 20 vite të realizimit.

Remusica u krijua me qëllim të prezantojë publikun shqiptar me muzikën bashkëkohore, dhe gjatë viteve solli shumë programe te pasura, asamble dhe artistë të mirënjohur si: Petrit Ҫeku, Aki Takahasi, Marc Bouchkov, Andreas Richter, Annete Vande Gorne e shumë emra tjerë të mirënjohur të botës së muzikës. Festivali po ashtu ka pasuruar literaturën muzikore gjatë viteve me publikime nga artistët vendor për instrumente të ndryshme (kitarë, piano, instrumente të tunxhit etj) .

Sivjet, disa nga aktivitetet e festivalit do të mbahen në formë fizike, siç janë puntoritë dhe ligjeratat, ndërsa koncertet nga artistë të mirënjohur do të mbahen në formë dixhitale.

Përveç Kajtazit do të performojnë edhe disa nga artistët tjerë të shquar vendorë dhe ndërkombëtarë: Asasello String Quartet nga Gjermania, Pierre dhe Theo Fouchenneret nga Franca, ndërsa Merita Rexha Tërshana është në piano si dhe soprano Kaltrina Miftari dhe Tringa Sadiku në kitarë. /KultPlus.com

Të ngjajshme