Ellis Marsalis, prijësi i rilindjes së xhazit

3 Prill, 2020 - 1:00 pm

Ellis Marsalis Jr., pianist dhe edukator që u bë forcë prijatare e rilindjes së jazzit në fund të shekullit XX, derisa i ka vënë në udhë të mbarë katër djemtë e tij për goxha karriera, ka vdekur të mërkurën. Ai ishte 85 vjeç.

Shkak u bënë ndërlikimet nga COVID-19, sëmundje e shkaktuar nga koronavirusi, ka thënë nëpërmjet një deklarate djali i tij, që nuk ka bërë të ditur se ku ka vdekur ai. Marsalis ka kaluar dekada të tëra si muzikant dhe mësues në New Orleans, para se dy djemtë e tij të mëdhenj, Wyntoni dhe Branfordi, që mishëronin një përtëritje të freskët të jazzit tradicional, të fitonin famë kombëtare në fillim të viteve ’80.

Ylli i zotit Marsalis u ngrit tok me djemtë e tij, dhe ata u bënë një familje e përmendur. “Ellis Marsalis ishte legjendë”, ka shkruar të mërkurën mbrëma në Twitter LaToya Cantrell, kryetar i New Orleansit. “Ai ishte prototipi i asaj çfarë kemi në mendje kur flasim për jazzin e New Orleansit”, shkruan KOHA.

Por nuk ishte gjithnjë kështu. Përkushtimi i zotit Marsalis për bebopin e gjysmës së shekullit dhe pasardhësve të tij për një kohë të gjatë e ka bërë atë njëfarë jabanxhiu në qytet me një besnikëri shtrënguese për rrënjët e hershme të jazzit.

Megjithatë, ai siguroi respektin e kolegëve muzikantë falë dhuntisë së tij të patjetërsueshme si pianist dhe kompozitor dhe mënyrës së tij të rreptë dhe mbështetëse si mësues. Sapo ata shkelën skenën kombëtare, mbrojtja që Marsalisët i bënë jazzit të kulluar i bëri ata renegatë të një lloji tjetër. Trumbetisti Wynton shpalosi me guxim devocionin e të atit për heronj si Charlie Parker dhe Thelonious Monk, madje ai fshikulloi publikisht kundër përzierjes së ligshtë mes jazzit dhe rockut që e zhvendosi me të madhe jazzin akustik në fund të viteve ‘60 dhe ‘70.

Të pashëm, eruditë dhe jashtëzakonisht të dhuntishëm, fëmijët e zotit Marsalis dhe shumë muzikantë të rinj të jazzit që i mësoi – përfshirë Terence Blanchard, Donald Harrison Jr., Harry Connick Jr. dhe Nicholas Payton – u bënë prijatarë në lëvizjen tradicionale në rritje, përhumbshëm e quajtur edhe si “Luanët e rinj”.

“Im atë ishte një gjigand prej muzikanti e mësuesi, por edhe një baba i madh”, ka thënë në një kumtesë Branford Marsalis. “Ai vuri gjithë çka kishte për të na bërë më të mirët”. Si mirënjohje për ndikimin e patriarkut dhe për dhuntitë e tij, “National Endowment for the Arts” më 2011 i emëroi Marsalisin dhe të bijtë e tij si mjeshtër të jazzit.

Ai konsiderohet si një prej ndereve më të larta për një muzikant amerikan të jazzit, dhe deri asokohe ai ishte dhënë vetëm në baza individuale. Në këtë pikë Maraslisët konsideroheshin gjerësisht si familja mbretërore e jazzit. Wynton ishte bërë drejtor artistik që themeloi jazzin në “Lincoln Center”, organizatë e shquar jofitimprurëse që i kushtohet jazzit, dhe ai fitoi çmimin “Pultizer” për muzikë më 1997. /KultPlus.com

Të ngjajshme