Era Istrefin për Spindlemagazine: Asgjë nuk e zëvendëson origjinalitetin

5 Shtator, 2018 - 11:32 pm

Spindlemagazine ka publikuar një artikull të cilin ia ka kushtuar Era Istrefit dhe suksesit që ka arritur ajo. Era në këtë intervistë ka biseduar për këngët e saj, performancën në Kupën e Botës dhe për shumë gjëra të tjera.

Spindlemagazine ka shkruar për suksesin e Erës duke theksuar së këngët e saj veçohen për përfshirje të fjalëve nga gjuha shqipe dhe nga gjuha angleze.

Era Istrefi e pyetur se si ndjehet pas performancës së bashku me Will Smith dhe Nicky Jam, është shprehur nuk ka pasur emocione pasi që kanë ushtruar shumë dhe janë përgatitur. Mirëpo sipas saj befasues ka qenë numri i madh i njerëzve, e q një numër të tillë kaq të madh ajo nuk e kishte parë asnjëherë së bashku në një vend.

“Will Smith, më ka thënë që asnjëherë të mos ndalojë së buzëqeshur dhe kam vlerësuar shumë këtë këshillë të tij. Unë e kam një buzëqeshje tatuazh në dorën time, dhe është një këshillë e mirë. Nuk është vetëm një buzëqeshje, është që asnjëherë të mos ndalosh së punuari që të jem e lumtur”, ka theksuar ajo.

E pyetur se më kë do të dëshironte që të bashkëpunonte, Era ka përmendur Lil Uzi dhe Cardi B. Era po ashtu është shprehur edhe krenare me superhitin e saj, këngën “Bon Bon”.

“Nuk e kam pritur që kënga do të ketë këtë sukses dhe vazhdimisht e kam analizuar se perse dhe e kam gjetur përgjigjen. Asgjë nuk e zëvendëson origjinalitetin. Diçka që është e vështirë që ta mbash në një botë e cila tenton që të të korrigjojë”, është shprehur ajo.

Tutje këngëtarja ka diskutuar edhe për këngët e tjera, duke përfshirë këtu këngën “Prisoner”, të cilën e ka xhiruar në Xhamajka./ KultPlus.com

Të ngjajshme