Ermonela Jaho reagon pas akuzave që po i bëhen Placido Domingos për ngacmime seksuale

17 Gusht, 2019 - 3:30 pm

Pas akuzave për ngacmime seksuale që po i bëhen Placido Domingos, po reagojnë edhe artistë që kanë punuar me të e shpesh e kanë ndarë edhe skenën. Një prej tyre ishte edhe tenori shqiptar Ramë Lahaj i cili i doli në mbrojtje artistit, shkruan KultPlus.

Por, tashmë ka reaguar edhe sopranoja shqiptare me famë botërore, Ermonela Jaho, e cila në disa raste e ka ndarë skenën me Domingon.

Ajo ka theksuar se Domingo ka qenë gjithmonë jo vetëm më i madhi për nga zemërgjerësia dhe më i sjellshmi por edhe më i respektuari në raport me kolegët e tij.

“Kam pasur nderin dhe privilegjin të këndoj me Maestro Placido Domingo në disa prodhime dhe koncerte në të gjithë botën. Përveç të qenit një artist legjendar dhe madhështor që ka dhënë një kontribut të pakrahasueshëm në botën e muzikës, dhe jo vetëm përmes shfaqjeve të tij, por edhe përmes përkushtimit të tij të thellë për zhvillimin e brezave të këngëtarëve të rinj, Maestro Domingo ka qenë gjithmonë jo vetëm më i madhi për nga zemërgjerësia dhe më i sjellshmi dhe më eleganti në raport me kolegët e tij. Unë gjithmonë do të vlerësoj kujtesën e çdo përvoje artistike që kemi ndarë së bashku”, ka shkruar Jaho në Facebook.

Kujtojmë që AP ka publikuar deklarata e tetë këngëtarëve, valltareve dhe individë të tjerë që e akuzuan tenorin spanjoll për ngacmim, puthje të pahijshme dhe sjellje të tjera të padëshiruara. Megjithatë, deri më tani, askush nuk duket se ka paraqitur prova të qarta për pretendimet e tyre.

Në të njëjtën kohë, lajmi ka bërë një bujë të vërtetë dhe vetëm disa orë pas lajmeve, Opera e San Francisko ka anuluar performancën e tij në shtator. Ata ishin pak më të kujdesshëm në lidhje me Operën e Los Angelesit, duke thënë se do të hapnin një hetim.

Megjithatë, ndryshe nga publiku amerikan, shtëpitë e operave në Evropë nuk po arrijnë në përfundime të shpejta. Deri më tani, askush nuk ka marrë vendim që të anulojë performancat e Domingos duke përfshirë edhe qytetet si Milano, Cyrih e Londra. Disa nga kolegët e Domingos në Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk janë të befasuar nga këto akuza dhe se duhet të “lihet të sharroj”. Nga ana tjetër, evropianët janë më të kujdesshëm dhe disa prej tyre i kanë dalë në mbrojtje. / KultPlus.com

Të ngjajshme