Europa, zonë e ndaluar për muzikantët për shkak të Brexit

21 Janar, 2021 - 7:37 pm

Mbi 110 artistë të skenës muzikore po protestojnë për pasojat që po i vuajnë pas largimit të Britanisë së Madhe nga Europa, apo e njohur si fenomeni “Brexit”, shkruan KultPlus.

Janë Sting, Elton John, Ed Sheeran, Liam Gallagher, Radiohead, Bob Geldof, Queen’s Brian May, Robert Plant i ”Led Zeppelin”, Peter Gabriel dhe Kim Wilde, por edhe autorë këngësh si Judith Weir, dirigjenti Simon Rattle dhe violonçelisti Nicola Benedetti, ndjehen të zhgënjyer nga qeveria britanike.

Këtë e kanë shprehur në një letër të botuar në “Times”, teksa denoncojnë daljen e Britanisë së Madhe nga Europa, e që kjo e fundit është shndërruar në një zonë të ndaluar për muzikantët.

Pas përfundimit të lëvizjes së lirë midis kontinentit dhe Britanisë së Madhe, vizat individuale duhet të merren para se të udhëtohet në ndonjë vend të BE, duke rezultuar në kosto shtesë, përfshirë lejet për 350 sterlina për instrumente muzikorë dhe pajisje të tjera, pa harruar mosmarrëveshjet dhe zvarritjet burokratike.

Londra dhe Brukseli fajësojnë njëri-tjetrin për këtë situatë, por do të jenë muzikantët ata që do të paguajnë çmimin./ KultPlus.com

Të ngjajshme