Fahri Beqiri përkujtohet nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, Jashari: Ai ishte i gjithë neve, i gjithë popullit shqiptar

18 Qershor, 2021 - 7:59 pm

Era Berisha

Dy vepra korale të jashtëzakonshme shqiptare si “Erdh Misiti” dhe “Shkoi e vij fluturim si zogu”, sot u interpretuan nga Kori i Filharmonisë së Kosovës në Kino Armata, me rastin e kthimit të një kujtimi për personalitetin që vuri themelet e artit në Kosovë, Fahri Beqirin, i cili vdiq muajin e kaluar duke lënë pas vetes muzikën e familjen e tij me kujtime të veçanta nga kontributi i tij në promovimin e vlerave muzikore autoktone dhe ngritjen e tyre në nivel të lartë artistik, shkruan KultPlus.

Pasi që të pranishmit zunë vendet e tyre në karrige, Kori i Filharmonisë së Kosovës u shfaq me veshje të zeza dhe u shoqërua me një heshtje absolute teksa ata dilnin në skenë një nga një. Një errësirë që bashkëpunonte me dritat e bardha sipër skenës të cilat fokusoheshin mbi secilin anëtarë të Korit, vinin në pah lëvizjet e tyre kur ata performuan në mënyrë mahnitëse dy veprat e njohura shqiptare.

Veprat si: “Erdh Misiti” dhe “Shkoi e vij fluturim si zogu” të Fahri Beqirit, nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, u interpretuan në skenë për të nderuar figurën e kompozitorit të shquar shqiptar dhe ish-profesorit të Universitetit të Prishtinës, i cili vdiç në moshën 85 vjeçare, e i cili i ka dhënë frymë krijimtarisë simfonike kosovare e shqiptare në përgjithësi. Andaj, këto dy vepra pothuajse përqafonin dhimbjen e familjarëve të pranishëm duke i rrethuar ata komplet me zëra që jehonën e tyre e futën direkt në brendësinë emocionale njerëzore të publikut.

Ndërkohë, pas performimit të tyre që pasoi me duartrokitje të shumta, për të biseduar tutje rreth jetës muzikore në Kosovë që është gjallëruar nga aktivizimi i pashoq i Fahri Beqirit, të pranishëm ishin: kompozitori, dirigjenti e drejtori i Filharmonisë së Kosovës Baki Jashari, kompozitori dhe etnomuzikologu Vasil Tole dhe muzikologja Rreze Kryeziu.

Një projektor që vazhdimisht shfaqte fotografi të Beqirit, një tavolinë, tri karrige dhe tri zemra njeriu ishin të mjaftueshme për shpalosjen e humbjes së madhe në aspektin e muzikës klasike dhe asaj popullore shqiptare ku nën moderimin e Dardan Selimaj, u flit për fanatizmin e Beqirit dhe dominimin e veprave të tij që ngërthejnë në vete vlera antologjike.

“Fahri Beqiri ishte i gjithë neve, i gjithë popullit shqiptar. Vdekja e tij është një humbje e madhe për artin muzikor kosovar dhe kontributi i tij voluminoz përfshin tri fusha bazike të zhvillimit të muzikës artistike në Kosovë si: krijimtaria e tij origjinale në muzikën simfonike, kamorale, korale e solistike, fusha pedagogjike si dhe angazhimi në zhvillimin e muzikës së mirëfilltë popullore”, thotë Jashari.

Sipas tij, përmes punës të jashtëzakonshme e të palodhshme të Beqirit, ai ka arritur të themeloi e të udhëheqë shumë ansamble e festivale të ndryshme në mbarë vendin ku ai do të mbahet mend për punën e tij kolosale në fushën pedagogjike dhe ndikimin e fuqishëm të tij në krijimin e shumë brezave profesionistë.

“Personaliteti i tij ka peshë dhe rëndësi të veçantë dhe vlen të theksohet angazhimi i tij afatgjatë në përgatitjen e parakushteve në tërë vertikalin e sistemit arsimor muzikor, ndërsa ndërlidhja me Filharmoninë në anën tjetër është kujdesur në vazhdimësi për interpretimin e veprave të Beqirit, të cilat zënë vend të rëndësishëm në trashëgiminë muzikore kombëtare”, thotë Jashari.

Për Jasharin, veprat kolosale të Beqirit, konsiderohen vepra të muzikës artistike kombëtare dhe nuk është e rastësishme që përpunimi i këngës popullore ‘Shkoi e vij fluturim si zogu’, është interpretuar sot, për arsye se kjo vepër zë vend në antologjinë e muzikës korale evropiane të botuar në vitin 2007.

“Nuk ishte rastësi që pikërisht vepra ‘Shkoi e vij fluturim si zogu’, një ikonë e muzikës simfonike kosovare, ka zënë vend qendror në koncertin e madh festiv të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës. Andaj, Filharmonia e Kosovës do ta përkujtojë Fahri Beqirin për ardhjen e tij të rregullt në koncerte me këshillat e tij dashamirëse”, përfundon Jashari.

Ndërkohë, një mesazh virtual nga Tirana erdhi nga kompozitori e etnomuzikologu Vasil Tole, i cili kryesisht përkujtoi Fahri Beqirin duke e nderuar figurën e tij dhe cilësuar krijimtarinë e tij si një krijimtari unike e shtrirë në trevat shqiptare. Ndërsa, muzikologja Rreze Kryeziu, në mënyrë kronologjike ka folur rreth krijimtarisë artistike të Beqirit.

Po ashtu, moderatori bëri të ditur se momentalisht e gjithë krijimtaria e Beqirit është përmbledhur në një CD, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe së shpejti do të jetë në dispozicion të publikut pasi që projekti ende nuk është konkretizuar.

Kështu krejt në fund, për të përmbyllur këtë ngjarje, në emër të Fakultetit të Arteve është ndarë një mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm të Beqirit nga dekani i Fakultetit të Arteve, Drinor Zymberi.

Fahri Beqiri, drejtues festivalesh e institucionesh si dhe profesor, ka vdekur me datë: 18.05.2021. Kompozitori i veprave korale si: ”Erdh Misiti”, ”Migjenit”, ”Kënga e rinisë”, ”Madrigali i Ibrit plak”, ”Moj e mira”, ”Shkoj e vij flutrim si zogu”, këngë këto të cilat i gjejmë edhe në repertorin e zhanreve të tjera muzikore, duke rritur edhe më tepër popullaritetin e tyre.

Puna e tij pedagogjike, artistike dhe krijuese, është dekoruar me dhjetëra mirënjohje komunale, krahinore, federative dhe së fundmi është nderuar me medaljen Presidenciale të meritave si dhe çmimi kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani”. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme