18 Gusht, 2025 - 11:15 pm
Korça mirëpriti nga 13-17 gusht “Festën e Birrës”, një event i përvitshëm që nxit turizmin në qytetin juglindor.
Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo ndau në rrjetet sociale momentet më të bukura të natës së fundit të Festës së Birrës.
Në këtë mbrëmje performuan këngëtarët e njohur si Anxhela Peristeri, Fifi, Aurel Thëllimi, etj, të cilët elektrizuan atmosferën me këngët e tyre.
Në këtë festë gjatë 5 netëve morën pjesë mbi 10 mijë pjesëmarrës, ku festuan, kënduan dhe shijuan atmosferën e mrekullueshme të krijuar me këtë rast.
“Korça tregoi edhe një herë se di të presë, të argëtojë dhe të dhurojë emocione të paharrueshme”, tha Filo.
Festa e Birrës në Korçë është një nga ngjarjet më të mëdha festive në Shqipëri, që prej 19 vitesh mbledh mijëra vizitorë çdo gusht. E njohur për atmosferën unike, organizimin gjithnjë në rritje dhe ndikimin në turizëm, kjo festë është kthyer në një simbol të verës shqiptare. Edicioni i vitit 2025 shënon 19 vjet traditë e suksese./atsh/KultPlus.com