3 Shtator, 2025 - 1:00 pm
Në zemër të Postribës, buzë lumit Kir dhe nën hijen e urës legjendare të Mesit, u zhvillua një nga ngjarjet më të bukura kulturore të zonës, “Festa Ura e Mesit”, e kthyer tashmë në një traditë, që promovon trashëgiminë kulturore, natyrore dhe turistike të Shkodrës.
Pamje nga festa u shpërndanë në rrjetet sociale nga kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili theksoi rëndësinë e këtyre aktiviteteve për jetësimin e vlerave të zonës dhe për gjallërimin e komuniteteve rurale.
Ndërsa Ansambli i Shkodrës solli atmosferën festive me këngë dhe valle tradicionale, duke i dhënë jetë këtij monumenti kulture, i cili është kthyer prej kohësh në një pikë referimi për vizitorë vendas dhe të huaj.
Në kuadër të festës u organizua edhe një panair lokal, ku u ekspozuan, produkte bujqësore dhe ushqime të zonës, punime artizanale tradicionale dhe u prezantuan oferta turistike nga bizneset lokale dhe agroturistike.
Ura e Mesit, një monument kulture i shekullit XVIII, mbetet një simbol i lidhjes mes historisë dhe natyrës, dhe një prej destinacioneve më të vizituara në veri të Shqipërisë.
Zona e Postribës (Shkodër) po rritet si një destinacion turistik, ku natyra, historia dhe kultura ndërthuren në mënyrë harmonike, duke ofruar përvoja të paharrueshme për çdo vizitor./atsh/KultPlus.com