Festë për Korin e Filharmonisë së Kosovës, 15 vjetori i themelimit po shënohet me një koncert të veçantë

10 Mars, 2018 - 4:10 pm

Kori i Filharmonisë së Kosovë, i themeluar në vitin 2003, këtë vit shënon 15-të vite punë. Këto 15-të vite, të cilat nuk ishin aspak të lehtë për korin, do të shënohen me një koncert mjaftë të larmishëm. Koncerti i cili do të mbahet nesër mbrëma në Kishën Katolike “Shën Ndou” duke filluar nga ora 20:00 do të sjellë vepra të epokës së Barokut, Renesancës dhe vepra moderne, shkruan KultPlus.

Alberina Haxhijaj

Ky koncert ka qenë sfidues për korin pasi që të gjitha veprat që do të prezantohen nesër, para publikut, janë premierë. Kori do të dirigjohet nga dirigjenti Marcio Da Silva, kurse në program do të ketë vepra të kompozitorëve si: Heitor Villa-Lobos, Alessandro Scarlatti, José Maurício Nunes Garcia, Pierre Passereau, Ola Gjeilo, Imant Raminsh.
Gjithashut do të jetë edhe vepra “Kënga e Rexhës” e kompozitorit shqiptarë, Hajrulla Syla. Koncerti do të ketë edhe dy vepra vokalo-instrumentale në të cilat do të prezantohen edhe solistë nga radhët e korit.
Në rolin kryesorë solistik, në pjesën e dytë të këtij koncerti do të vijë solistja, Adelina Paloja, e cila do të sjellë veprën “Missa Brevis in C-minor” të kompozitorit Imant Raminsh. Solistja Adelina Paloja ka theksuar se e rëndësishme, gjatë këtyre ditëve, ka qenë puna e dirigjentit, i cili, sipas saj liron energji mjaftë pozitive gjatë punës, diçka që ju ndihmon edhe anëtarëve të korit për të punuar dhe sjellë rezultate pozitive për këtë koncert.

“Nga ana profesionale mund të them se është një pjesë me mjaftë përgjegjësi, për shkak edhe të ndërrimit të tonaliteti dhe specifika të tjera profesionale. Mirëpo, mund të them me bindje të plotë së ky bashkëdyzim mes bartit solistik dhe korit do të lë përshtypje te publiku”, është shprehur ajo.
Marcio da Silva ka tri vite rresht që vjen në Prishtinë si dirigjent permanent i Filharmonisë së Kosovës. Në vitin 2016 ai ishte këtu së bashku me violinisten Aușen Ulucan, e cila është edhe bashkëshortja e tij, për të hapur festivalin DAM. Atë vit, ai ishte dirigjent vetëm i orkestrës.
Mirëpo, në vitin 2017, Marcio Da Silva, i cili është edhe dirigjent i Filharmonisë së Hastings, dirigjoi në Prishtinë, korin dhe orkestrën e Filharmonisë së Kosovës. Këtë vit, ai është rikthyer përsëri për të dirigjuar koncertin e korit, i cili ka mbushur 15-të vite punë.

“Ky është një nga bashkëpunimet e mia të pakta që kam jashtë Britanisë së Madhe, pasi që atje jam mjaftë i zënë me projekte dhe nuk kam hapësirë për të realizuar koncertet edhe jashtë. Mirëpo, është kënaqësi të rikthehem në Kosovë dhe të punoj me artistë kaq të entuziazmuar”, është shprehur ai duke theksuar se kësaj radhe ka marrë me vetë edhe vajzën e tij, gjë që e ka bërë këtë udhëtim të veçantë dhe sidomos ushtrimet me korin gjatë këtyre ditëve.
Ai tutje ka theksuar se ky koncert do të jetë i larmishëm, gjersa ka theksuar se bashkëpunimi i tij më Filharmonin e Kosovës është i veçantë edhe për shkak të koncertit që do të bëjë Filharmonia në Hastings.

“Koncert në Hastings, do të jetë një nga ngjarjet më të mëdha klasike që ka ndodhur ndonjëherë në Hastings, për shkak të numrit të njerëzve që do të ngjiten në skenë dhe kualitetit të asaj që do të sjellim, prandaj jemi të lumtur që do e kemi Filharmoninë atje dhe që do të performojmë së bashku”, është shprehur ai. Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari ka dhënë detaje më shumë për dy koncertet, në konferencën për media e cila u mbajt sot.

” Në lidhje me këtë përvjetor, koncerti i nesërm është aktiviteti i parë i korit, ku Kori i Filharmonisë do të prezantohet me një varg veprash vokale por edhe disa vepra vokal- instrumentale. Pra është komplet një koncert premierë, me veprat të cilat nuk janë interpretuar më parë”, është shprehur Jashari i cili tutje ka treguar edhe për koncertet e korit jashtë vendit, i cili do të mbahet me 5 maj.
“ Dirigjenti Da Silva i ka bërë një festë Korit të Filharmonisë për dy përvjetorë, për 10-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës si dhe 15-të vjetorin e themelimit të korit, që më 5 maj, në qytetin Hastings të paraqiten me koncert. Vend ky në të cilin vepron dirigjenti Marcio Da Silva. Kori i Filharmonisë do i bashkëngjitet orkestrës dhe një kori tjetër atje, bashkim ky që ndodh për të shënuar edhe 90-të vjetorin e themelimit të korit të tyre atje. Pra ka shumë jubile edhe tonat por edhe të tyre të cilat do të shënohen”, është shprehur ai.

Ndërsa gjatë qëndrimit në Hastings, Kori i Filharmonisë së Kosovës do të mbajë edhe një koncert vetanak në Londër, me mbështetje të Ambasadës së Kosovës në Londër. Sipas Jasharit, ky koncert do të shërbejë për prezantimin e vlerave tona kulturore, tek qytetarët atje, por edhe te shqiptarët që jetojnë në Britani të Madhe./KultPlus.com

Të ngjajshme