Festivali i 14-të i Dancit modern në Durrës me trupa nga Italia, Hungaria, Austria dhe Franca

2 Tetor, 2019 - 9:00 pm

Edicioni i 14-të i Festivalit ndërkombëtar të Dancit Modern dhe Kontemporan do të nisë nesër në mbrëmje, sipas traditës, në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit.

Drejtori artistik i Festivalit, Gjergj Prevazi, tha për ATSH-në se “tashmë përveç qytetit ku nisi ky festival shfaqjet e tij kanë një hartë shumë më të madhe edhe në qytete të tjerë të vendit dhe Kosovës”.

Sipas Prevazit, gjatë këtij edicioni do të ketë 13 shfaqje në skenat e qyteteve të Durrësit, Tiranës, Korçës, Shkodrës, si dhe në teatrin “Dodona” të Prishtinës.

Festivali nis nesër në Durrës me shfaqjen “I always have a handkerchief in my pocket” nga trupa e kompanisë së Dancit shqiptar dhe do të përfundojë më 19 nëntor me shfaqjen “Unknown”.

Përveç trupave nga vendi ynë në edicionin e 14-të të Festivalit do të performojnë edhe ansamble të dancit modern dhe kontemporan nga Italia, Hungaria, Austria dhe Franca.

Skena shqiptare është pasuruar me zhanrin e ri të Dance Theatër dhe artistët tanë po fitojnë një përvojë gjithnjë e më të madhe në këtë drejtim- Gjergj tha Prevazi.

Festivali i Dancit që organizohet nga shoqata “Bukuroshja e Durrësit” ka nisur në vitin 2006 dhe në skenat e teatrove të ndryshme janë përballur artistikisht trupa dhe kompani të teatrit alternativ nga Kosova, Maqedonia, Suedia, SHBA, Franca, Hollanda, Turqia, Italia, Kanadaja, Kroacia, Shqipëria, Izraeli, Hungaria, Sllovenia, Zvicra, Austria, etj. /KultPlus.com

Të ngjajshme