Festivali i 18-të Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës në Durrës

19 Korrik, 2023 - 11:15 am

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës “Chamber Fest Durrës” sjell mbrëmjeve në Katedralen Shën Luçia koncertet me muzikë klasike që ndiqen me interes nga artdashësit durrsakë dhe vizitorët e qytetit bregdetar. Në këtë festival marrin pjesë instrumentistë nga Shqipëria, Italia, Austria,Gjermania, Spanja, Çekia e Franca.

Ditën e sotme organizatorët kanë planifikuar muzikë të bukur nga Mozart, Schumann e Kovacs, me Kuartetin e Harqeve dhe Genti Dollani nę klarinetë.

Koncerti i parë ishte ai i kuartetit të Torinos që interpretoi muzikën e Ezio Bosso-s, së bashku me shfaqjen e filmit “The Lodger”. Më pas festivali vijoi me trion e Harqeve “Kontur” me artistë nga Gjermania si dhe me koncertin e “Albania Youth Chamber Ensemble” me artistë nga Austria dhe Shqipëria.

Festivali do të vijojë mbrëmjet e ardhshme me artistë nga Shqipëria dhe Franca, ndërsa më 23 korrik koncerti i fundit është me instrumentistë profesorë të Western Balkans Youth Orchestra me artistë nga Gjermania, Shqipëria, Spanja dhe Çekia.

Ky festival është një tjetër aktivitet i rëndësishëm kulturor që po zhvillohet gjatë këtij sezoni turistik në Durrës./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme