Festivali i Sanremos nis sonte me Anna Oxa-n

7 Shkurt, 2023 - 4:00 pm

Festivali i Sanremos nis sonte edicionin e tij të 73-të. Për herë të parë në historinë e këtij festivali, në rreshtin e parë do të jetë një spektator i veçantë, kreu i shtetit, presidenti Sergio Mattarella.

Në Teatrin Ariston, do të garojnë 28 artistë, 22 këngëtarë të përzgjedhur si dhe 6 fitues të “Sanremo Giovani”.

E para që do të çelë garën do të jetë këngëtarja me origjinë shqiptare Anna Oxa, e cila numëron 15 pjesëmarrje në Sanremo. Ajo është ndër të vetmet që ka shkaktuar polemika që pa nisur festivali, duke krijuar një marrëdhënie të acaruar me mediat.

Anna Oxa ka refuzuar çdo ftesë për komunikim me gazetarët dhe ndryshe nga çdo artist tjetër në garë, ka zgjedhur që të mos shoqërohet nga një këngëtar tjetër, natën e katërt, e quajtur nata “cover”, por do të performojë me një violonçelist shqiptar.

Ky “Sanremo” shënon rikthimin e shumë emrave të njohur të muzikës italiane si Gianluca Grignani, Giorgia, Paola&Chiara, I Cugini di Campagna etj.

Mes të ftuarëve “VIP” të natës së parë, veçojmë Roberto Benigni-n i cili do të ngjitet në skenë, në nder të 75-vjetorit të Kushtetutës Italiane, ndërkohë që himni italian do të këndohet nga Gianni Morandi.

Ndërsa në natën finale, prezantuesi Amadeus do të lexojë një mesazh që presidenti i Ukrainës, Zelensky ka dërguar për publikun italian, në pamundësi për të pranuar ftesën e organizatorëve të festivalit./ KultPlus.com

Të ngjajshme