8 Korrik, 2025 - 2:22 pm
Në kuadër të projektit “Mirdita Junik” që funksionon si një urë bashkëpunimi Ndërkufitar mes Shqipërisë e Kosovës, organizohet edhe edicioni i dytë i festivalit “Kah Drita”.
Festivali “Kah Drita” është një festë dyditore që mbahet në Junik të Kosovës duke bashkuar muzikën, artin dhe kulturën në një përjetim të veçantë, ndërthurur mes bukurisë përrallore të bjeshkëve të Junikut dhe kulturës autentike të Dukagjinit.
Kjo festë, ku bukuria natyrore dhe trashëgimia, arti e kultura shkrihen në një harmoni të plotë mbahet në datat 19-20 korrik 2025, me performanca të paharrueshme të figurave më autentike të muzikës shqip.
Edicioni i dytë i festivalit do të hapet nga Agona Shporta e Ilir Bajri, më 19 korrik, në ora 18:00 në Junik, me një performancë të larmishme kulturash e tingujsh. Kjo performancë, duke përfshirë edhe këngë të folklorit shqiptar shënjon një udhëtim të veçantë muzikor të artistëve.
Nga ora 19:00, në Kullën e Isufajve, tingulli do të përjetësohet në vargje poezish. Në skenë do të ringjallen edhe njëherë poezitë e Din Mehmetit, me interpretim nga Alban Krasniqit.
Përpos Kullës së Isufajve edhe Amfiteatri i Moronicës do të gëzojë shpërfaqjen kulturore dhe muzikore me bendin “BLLA BLLA BLLA” , grupi rok shqiptaro-maqedonas nga Shkupi, me performancë nga ora 21:00.
Në po të njëjtën datë dhe vend në orën 22:00 do të jemi nën tingujt më të veçantë të muzikës shqipe nga Dren Abazi dhe Zig Zag Orchestra. Dren Abazi me orkestër do të vjen bashkë me origjinalitetin dhe energjinë, me multikulturalitin që bart arti i tyre muzikor, i servuar edhe në skena të ndryshme në gjithë botën.
Kurse me datë 20 korrik, në kuadër të laramanisë kulturore, do të performojë grupi “Rilindja” në ora 19:00 në Kullën e Isufajve, duke sjellë këngë që burojnë nga zemra dhe rrënjët kulturore.
Në këtë llojllojshmëri muzike dhe kulture festivali “Kah Drita” do të mbajë dy netët më të magjishme në Junik. “Kah Drita” niset prej motos “T’andrrum prej zanave t’veshuna me t’bardha që knonin maleve n’tingujt e lahut’s e ladronin nëpër fusha”, për të arritur kështu te drita e vërtetë e kulturës, te rrënjët, te zanat me lahuta, te artisët me kryeveprat e tyre./ KultPlus.com