Festivali “Nrrot Fest” gati për edicionin e dytë

8 Shtator, 2018 - 1:05 pm

Alberina Haxhijaj

Komuna e Gjilanit për herë të dytë do të mirëpres festivalin “Nrrot Fest”, festival ky i cili ka karakter social, shkruan KultPlus.

Edhe këtë vit në Festivalin “Nrrot Fest” i cili do të fillojë më 29 shtator dhe do të përfundojë në mëngjesin e 1 tetorit, do të perfomojnë artist të njohur nga Kosova dhe rajoni, emrat e të cilëve mbesin akoma një mister. Menaxheri i Projektit Qëndrim Kqiku, për KultPlus ka konfirmon se janë në përgatitje të edicionit të dytë si dhe ka ndarë me ne disa detaje.

“Do të performojnë 6, eventualisht 7 artistë nga vendi dhe rajoni, ndërsa ky event social këtë vit mbështet fëmijët me sindromin Down në Qendrën ‘Pema’ në Gjilan”, tregoi Kqiku.

Tutje ai u shpreh se një risi tjetër e këtij edicioni është edhe ndërrimi i lokacionit, pasi që ky edicion do të mbahet prapa Interxit-ish Stop Club.

Në anën tjetër ideatori i festivalit, Albert Fazliu, u shpreh për KultPlus optimist për edicionin e sivjet.
“Presim pjesëmarrjen të njerëzve pasi që ata përveç festës dhe argëtimit, përmes pagesës për hyrje mund të ndihmojnë sadopak në lumturinë e fëmijëve”, u shpreh ai.

Organizatorët po ashtu kanë njoftuar se konkursi për vullnetarët e këtij festivali vazhdon të jetë i hapur deri më 15 Shtator 2018. Për të mësuar më shumë për festivalin por edhe për mënyrën e aplikimit për të qenë pjesë e vullnetarëve, ju mund të vizitoni faqen e tyre në Facebook.

Kujtojmë se edhe edicioni i parë i festivalit ka pasur karakter social ku fitimet e projektit të festivalit janë ndarë për Familjet Sociale për nder të festave të fundvitit me moton: “Ti ke, dikush nuk ka”./ KultPlus.com

Të ngjajshme