2 Maj, 2025 - 1:08 pm
Në Arts Festival Summit në Edinburgh, asambleja e përgjithshme e EFA-s, ka miratuar anëtarësimin e festivalit ReMusica duke e njohur zyrtarisht si anëtar të ri që nga sot.
“Jemi jashtëzakonisht krenarë që i bashkohemi zyrtarisht Asociacionit të Festivaleve Evropiane, një familje festivalesh që ndajnë besimin tonë në fuqinë e kulturës për të bashkuar, transformuar dhe frymëzuar. Mezi presim të kontribuojmë përvojën, energjinë dhe idetë tona me festivalet Evropiane, ne EFA”, thuhet në njoftim.
Këtu mund të gjeni më shumë info për EFA: https://www.european-festivals.eu/we-are-efa
Për anëtarët e EFA: https://www.european-festivals.eu/members/kosovar-center-for-new-musica-kcnm
Festivali ReMusica është festival ndërkombëtar i muzikës dhe një nga ngjarjet kyçe kulturore në Kosovë, me fokus si në muzikë ashtu edhe në edukim. Objektivi i tij kryesor është promovimi i muzikës bashkëkohore, duke përfshirë veprat e shekullit të 20-të, muzikës së vjetër, klasike dhe muzikën akusmatike, me artistë të klasit botëror dhe vendas. I themeluar në pranverën e vitit 2002, si aktivitet i “Qendrës për Muzikë të Re”, me mbështetjen e Vanessa Redgrave dhe Philip Glass pas luftës në Kosovë, sot festivali mban koleksionin më të madh të regjistrimeve audio të kompozitorëve vendas nga njëzet vitet e fundit.
ReMusica është më shumë se një festival. Është një katalizator për edukim, me master klase, punetori, dhe programe të përkushtuara për të rinj, fëmijë. Është gjithashtu qendër për diplomacinë publike, duke nxitur në mënyrë aktive shkëmbimin kulturor dhe dialogun duke bashkëpunuar me festivale dhe institucione evropiane.
Edicioni XXIV (24) i Festivalit ReMusica do të mbahet nga data 27 deri me 30 Tetor 2025! / KultPlus.com