Filarmonia synon që prej shtatorit t’i bëjë koncertet me pagesë

11 Janar, 2019 - 5:00 pm

Katërqind veta do t’i sigurojnë ulëset në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, me biletë falas, për ta dëgjuar koncertin me të cilin Filarmonia e Kosovës e nis vitin 2019. Me këtë, ky institucion për të dytën herë do ta testojë sistemin e biletarisë. Deri në shtator paralajmërohet që biletat e koncerteve të Filarmonisë së Kosovës të bëhen me pagesë.

Për të parën herë sistemin e biletarisë ky institucion e kishte testuar në vitin 2012, për ta ndërprerë për shkak të mosfunksionimit. Asokohe çmimi i biletës kushtonte pesë euro.

Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, ka thënë se për koncertin e së dielës mbrëma – në bashkëpunim me “Tingujt e flautit” që me këtë koncert hap edicionin e nëntë – biletat janë falas. Sipas njoftimit të bërë publik edhe në rrjete sociale, biletat mund të tërhiqen në objektin e Filarmonisë së Kosovës dhe posedimi i tyre është i obligueshëm për hyrje në koncert. Një person mund të tërheqë vetëm dy bileta./ koha.net/ KultPlus.com

Të ngjajshme