Filharmonia dhuron emocione kulminante në koncertin e organizuar për 16-vjetorin e Pavarësisë

18 Shkurt, 2024 - 2:18 pm

Emocion dhe krenari dhuruan Filharmonia e Kosovës në koncertin e organizuar mbrëmë për shënimin e 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Koncerti nisi me ‘Lindjen e Diellit’ nga R. Strauss për t’i lënë vend ‘Krzesany’ nga kompozitori W. Kilar, një prej veprave më ikonike të literaturës polake të shek. XX.

“Nëna Terezë” interpretuar nga solistët Arta Jashari – soprano dhe Anton Çivlaku – lahutë e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, hapi rrugën për premierën e ‘Exodus’ nga Mendi Mengjiqi, një dedikim për eksodin e mbi 1 milion shqiptarëve nga Kosova, të cilët para 25 vjetësh qenë dëbuar me dhunë jashtë Kosovës nga forcat paramilitare dhe ushtarake jugosllave dhe serbe.

Sopranoja Krenare Gashi, magjepsi audiencën me interpretimin e saj dhe u prit me ovacione bashkë me kompozitorin Mengjiqi, i cili ishte i pranishëm.

Interpretimi i kantatës ‘Rrugëtimi’ nga Valton Beqiri erdhi si kulminacion i mbrëmjes, e cila u përmbyll me ‘Oda e Gëzimit’ nga Beethoveni, e në orkestrim të E. Nuhanoviqit.

Bashkë me artdashësit koncertin e ndoqën presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe bashkëshorti i saj Prindon Sadriu, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ministri i Kulturës Hajrulla Çeku dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier./KultPlus.com

Të ngjajshme