Filharmonia e Kosovës me koncert nesër mbrëma, i dedikohet grave që vdiqën në luftën e Kosovës

7 Dhjetor, 2019 - 4:26 pm

Sot në një konferencë për media drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari shpalosi detajet rreth koncertit  që do të mbahet në nesër mbrëma, ku do të interpretohet vepra ‘Requiem’ e Mozartit, shkruan KultPlus.com

Ky koncert organizohet në kuadër të sezonit 2019/2020 dhe shënon 70 vjetorin e lindjes së dirigjentit Rafet Rudi, ndërsa  njëherësh me këtë mbrëmje, Filharmonia e Kosovës i bashkohet fushatës 16 – ditore të aktivizimit kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave.

Filharmonia e Kosovës interpretimin e ‘Requiem’ të Mozart-it, nesër mbrëma do t’ia dedikojë grave dhe vajzave që vdiqën dhe u përballën në heshtje me vuajtjen, pasi u torturuan dhe u dhunuan në luftën e Kosovës, më 1999.

Në këtë koncert është angazhuar Kori i Filharmonisë së Kosovës dhe Orkestra Simfonike, që nesër do të dirigjohen nga kompozitori dhe dirigjenti permanent i Korit të Filharmonisë së Kosovës, Rafet Rudi. Ai ndihet i nderuar që nesër do ta mbajë peshën e kësaj mbrëmje dhe të kësaj vepre monumentale.

Rozafa Kelmendi përfaqësuese nga UN Women tha se vepra e nesërme do të jetë homazh për gratë e dhunuara.

“Është një mesazh i fuqishëm i dashurisë që do të përcjellë kjo vepër e Mozart-it, e shpresojmë të jetë një mesazh i tillë për këto gra që nuk gjetën dashuri në këtë botë, njëkohësisht është edhe thirrje për ne si shoqëri që të reflektojmë për mënyrën se si i kemi trajtuar të mbijetuarat e dhunës seksuale, që t’u ofrojmë më shumë dashuri e mbështetje në realizimin e të drejtave të tyre”  tha ajo.

Në koncert përveç solistëve nga Kosova do të ketë edhe mysafirë nga Franca e Danimarka.

Koncerti do të mbahet nesër duke filluar nga ora 20:00, tek Pallati i Rinisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme