займ на карту онлайн потребительский кредит

Filharmonia e Kosovës premton koncert madhështor nesër mbrëma

Tetor 9, 2019 - 1:23 pm

 Bujar Meholli

Filharmonia e Kosovës mbajti sot një konferencë ku u shpalosën detaje për koncertin e parë të Korit të Filharmonisë për sezonin 2019/2020, shkruan KultPlus.

Ky koncert do të jetë padyshim shumë interesant, nën dirigjimin e spanjollit Fernando Briones i cili ishte prezent në konferencë bashkë me drejtorin e Filharmonisë, Baki Jasharin dhe kompozitorin Hajrullah Syla.

Për koncertin foli fillimisht Baki Jashari i cili tregoi se do të interpretohen vepra korale botërore dhe vepra korale të vendit. Gjithçka që do të interpretohet nesër në ambientet e Kishës katolike “Shën Ndou” në Prishtinë do të jetë premierë. Jashari nuk e la pa e përmendur edhe një problem të vjetër të Filharmonisë, mungesën e një salle adekuate për t’i zhvilluar performancat artistike.

“Pas koncertit të parë inaugurues, ne jemi në prag të koncertit të radhës me korin profesional të Filharmonisë”, tha Jashari në hapje të konferencës.

“Koncerti mbahet në Kishën katolike meqë nuk kemi ende sallë koncertale adekuate, aq më tepër që për këso koncerte korale nevojitet një akustikë tejet e veçantë, një jehonë e caktuar për të pasë sukses në realizimin e koncertit vokal. Pra, meqë na mungon ajo sallë për të cilën flasim vazhdimisht ne kemi zgjedhur këso hapësira të cilat shfrytëzohen edhe nëpër botë për koncerte të tilla, potencoi ai.

Ndërkohë, dirigjenti spanjoll Briones u shpreh mjaft i lumtur që i është dhënë mundësia për të qenë në Prishtinë.

“Është gjë e bukur të jem këtu me ju. Jam i ngazëllyer për këtë koncert i cili vërtet do të jetë madhështor”, tha ai, duke vazhduar “Falënderoj Baki Jasharin e Hajrullah Sylën si dhe të gjithë bashkëpunëtorët, dhe ju ftoj që të vini nesër në koncert dhe ta shijoni atë” përfundoi spanjolli.

Edhe kompozitori Syla, u shpreh i kënaqur për këtë koncert. Ai mes tjerash tha se adhuruesit e muzikës korale nesër do të kenë mundësi që të dëgjojnë veprat e kompozitorëve bashkëkohor.

“Jam shumë i lumtur për bashkëpunimin me PriFest. Bashkë kemi arritur të sjellim koncerte të mira. Programi i nesërm është i larmishëm me kompozimet e kompozitorëve bashkëkohor”, tha Syla duke theksuar se nesër pret një interesim të madh nga publiku.

Koncerti i cili realizohet në bashkëpunim me Festivalin Ndërkombëtar të Vokalit do të nis nesër mbrëma nga ora 20:00 në Kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë dhe kështu do të shënoi mbrëmjen përmbyllëse të edicionit të dytë të këtij festivali. /KultPlus.com

Të ngjajshme