Filloi 3 vite më parë realizimi i këngës “Në garë për Qeveri”, Çarkaxhiu zbulon prapaskenat

7 Maj, 2022 - 9:30 pm

Grupi “Jericho” është rikthyer fuqishëm pas tre viteve, duke publikuar këngën e tyre të re me titullin “Në garë për Qeveri”, shkruan KultPlus.

Në një prononcim për KultPlus, frontmeni i rockgrupit të njohur kosovar, Petrit Çarkaxhiu, ka deklaruar se kënga ka filluar të inçizohet në vitin 2019, kur atëherë ai po eksperimentonte me një projekt të tretë, mirëpo në fund u vendos të publikohet me JERICHO-n.

“Është një këngë e cila flet për ambicien e shoqërisë moderne për të mira materiale duke përfituar pushtet. Mund të kuptohet si një këngë me karakter politik (që pjesërisht qëndron) mirëpo jo somosdoshmërisht. Nuk ka të bëjë me ndonjë parti politike në veçanti, mirëpo në përgjithsi si një fenomen i cili përcjellë skenën politike në çdo kohë dhe në çdo vend në botë”, deklaroi Çarkaxhiu.

Tutje, ai njofton se ata po ndjehen shumë te entuziazmuar për rikthimin e tyre, e sigurisht edhe anëtarët e bendit janë tejet të kënaqur.

“Po ndihemi shumë të entuziazmuar. Anëtarët e bendit që të gjithë janë shumë të kënaqur sidomos për shkak se i jemi kthyer bazës së muzikës sonë e që janë influencat e ndryshme të mëhershme të punk rockut”.

I pyetur rreth realizimit të videoklipit të këngës, Çarkaxhiu shpalos shumëçka për publikun.

“Videoklipi është realizuar nga Takat Studio në Shkup, në regji te Genc Halimit me të cilin kemi realizuar një numër të videoklipeve duke përfshirë këtu edhe klipin e këngës “Endërr e Prerë”, ndërsa postproduksioni është realizuar nga Prima Future dhe Tanju Suleyman”, thotë ai.

Sipas tij, është një klip i cili për qëllim kryesor ka pasur të sjellë live performimin e bendit, që do të thotë energjinë të cilën e përçon bendi gjatë live performancave, gjë për të cilën ai beson se ia kanë arritur.

E po ashtu kjo këngë qëllim ka pasur edhe frymën moderne, konceptimin e skenës dhe ndriçimit të influencuar prej rock bendeve të njohura kryesisht amerikane.

“Në fakt komplet projekti si kënga ashtu edhe video është “heavily influenced” prej skenës së punk rock-ut amerikan”, thotë ai.

Ndërkohë, ky është edhe teksti i këngës “Në garë për qeveri”:

Në garë për qeveri

Zgjohu dhe vish një fytyrë të re
Buzëqesh, jeto plot lumturi
Vrapo kërko një sfidë te re
Lufto t’jetosh plot kënaqësi

Ref:

Duhet të blesh makinë më t’mirë
Ndërto shtëpi me një pishinë
Po pate edhe një dëshirë
Vrapo në garë për qeveri

Duhet të bleshë edhe një makinë më t’mirë
Ndërto edhe një shtëpi me një pishinë
Nuk mjafton të keshë veç edhe një dëshirë
Vrapo të fitosh në garë për qeveri /KultPlus.com

Të ngjajshme