Filloi edicioni i 12-të i garës “Pianisti i ri 2019”

21 Qershor, 2019 - 3:17 pm

Shumë pianistë të rinj nga të gjitha trevat shqiptare kanë zbarkuar në Amfiteatrin qendror të Bibliotekës Universitare në Prishtinë, ku do të luajnë pjesë të ndryshme në garën ndërkombëtare pianistike.

Edicioni i 12-të me radhë, që filloi sot (e premte) do të vazhdojë deri më datën 25 qershor. Përveç interpretimeve, e kënaqësisë së tingujve nga piano, të rinjtë pjesëmarrës do të garojnë mes vete për tri çmimet e festivalit, që do të ndahen nga juria profesionale e përbërë prej Adilia Alieva nga Franca, Birsen Ulucan nga Turqia dhe Anna Maria-Maak nga Gjermania.

Organizatorja dhe drejtoresha e festivalit Vlora Baruti, tha për KultPlus se është e kënaqur për nisjen e këtij edicioni. Ajo falënderoi bashkëpunëtorët, jurinë profesionale dhe të gjithë pjesëmarrësit derisa tregoi se rezultatet për kategoritë A1 A2 dhe A3 që performuan në ditën e parë, do të dalin në orën shtatë.

Ky festival dhuron përvojë të rëndësishme në zhvillimin profesionist të pianistëve, dhe u jep atyre mundësinë që të ballafaqohen me skenën dhe me jurinë profesionale evropiane.

Festivali “DAM” dhe Filharmonia e Kosovës e ndajnë çmimin më të lartë “Pianisti i ri 2019”. Edicioni i 12-të i festivalit u radhit në 20 aktivitetet e organizuara për nder të 20 vjetorit të çlirimit të Prishtinës, nën patronatin e Kuvendit Komunal të Prishtinës. /KultPlus

Pamje nga perfomanca e kategorive A1, A2 dhe A3

Të ngjajshme