Fillon edicioni i parë i ‘Prishtina Guitar Week’, synohet të shëndrrohet në festival tradicional

26 Tetor, 2023 - 6:20 pm

Vjollca Duraku

Të mërkurën mbrëma, në kishën ‘Shën Ndou’ është mbajtur koncerti i parë, edicionit të parë të ‘Prishtina Guitar Week’, i cili për solist pati Antonio Gashin- violonçelit, Visar Kuqin-violinistë dhe Drilon Çoçajn- kitarist, shkruan KultPlus.

Koncerti filloi rreth orës tetë në mbrëmje, në një sallë të mbushur përplot dashamirë të muzikës dhe familjarë të solistëve, të cilët interpretuan në fillim të edicionit të parë të festivalit.

Nën shoqërimin e duartrokitjeve, interpretimin fillimisht e nisën Antonio Gashi dhe Drilon Çoçaj me veprën La follia të Arcangelo Corelli. Kjo pikë interpretuese pati tinguj të qetë dhe shumë të këndshëm për veshin e publikut në sallë.

Më pas u interpretuan edhe pikat Etude op.76 nr.2 nga Jean Sibelius, Bachianas Brasileiras ne.5 nga Heitor V.Llobos, të cilat u karakterizuan me tinguj herë më të lehtë e herë më të rëndë, që në kontrast me vetveten krijonin një akustikë mjaftë interesante.

Pas një pauze dhjetë minutëshe filloi edhe pjesa e dytë e koncertit me solistët Visar Kuçin dhe Drilon Çoçajn të cilët interpretuan veprat Danza Espanola op. 37, nr. 5, Fratres të Arvo Part dhe Siete canciones populares espanolas të Manuel de Falla.

Këto pika interpretuese u dhanë me tinguj të lartë të cilët herë pas here bëheshin të lehtë, pati edhe tinguj që u interpretuan shpejt dhe të cilët u përsëritën për njëfarë periudhe kohore, dhe të atillë që u ekzekutuan jo nga telat e kitarës dhe violinës por me goditjen e materialit të drurtë të instrumenteve, çka i dha një shije pak më ndryshe performancës nga ajo që u interpretua në deri në atë kohë.

Krejt në fund të koncertit, në një prononcim për KultPlus, violonçelisti Antonio Gashi tha se për të ka qenë kënaqësi për të marr pjesë në edicionin e parë të ‘Prishtina Guitar Week’.

“Impresionet e publikut janë të mjaftueshme për të treguar si kaluam sonte. Për mua personalisht ishte kënaqësi për të pasur një bashkëpunim me profesorin e kitarës Drilon Çoçajn, një prej organizatorëve të këtij festivali. Për mua kjo është hera e parë që kam ekzekutuar solo me kitarë. Vetëm balanci me çelo dhe kitarë ka qenë një dimension totalisht ndryshe për mua, dhe ka qenë kënaqësi e veçantë”, ka thënë Antonio Gashi.

Ndërsa solisti tjetër, Visar Kuçi tha se koncertin e mbrëmshëm e kishte shijuar jashtë mase shumë, të cilin në njëfarë forme e quajti të kompletuar si nga programi artistik, prania e publikut dhe në përgjithësi nga atmosfera që mbretëroi në natën e kaluar.

“Koncerti shkoi shumë mirë, dhe programi të cilin e ka zgjedhur Driloni ka funksionuar shumë mirë si në pjesën e parë të koncertit, me violonçelistin Antonio Gashi ashtu edhe vazhdimi me mua ka qenë një laramani, por që ka ndenjur brenda një stili të caktuar dhe unë u ndjeva shumë mirë. Patjetër në këtë lloj ambienti ku akustika është shumë e mirë, publiku është shumë i mirë, i qetë,  ku dëgjohej çdo gjë. Ishte qetësi, e kam shijuar shumë”, ka thënë Kuçi.

Violonisti Kuçi më tej uroi që festivali të bëhej tradicional dhe të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme në mënyrë që tu jepen më shumë mundësi për përvoja të reja, sidomos artistëve të rinjë.

“Këto evente janë shumë të rëndësishme, sidomos për njerëzit e rinj sepse ata kanë mundësinë që në këtë festival të takohen me kitaristë botërorë, qoftë shqiptarë, qoftë të huaj të cilët e ndajnë përvojën me ta. Po ashtu garat në të cilat ata marrin pjesë janë një përvojë shumë e rëndësishme për të rinjtë për t’u zhvilluar. Uroj që ky festival të vazhdojë dhe të bëhet tradicional”, përfundoi Kuçi.

Ndërsa Kitaristi dhe njëri ndër organizatorët e “Prishtina Guitar Week” Drilon Çoçaj tha se një interpretim të tillë e kishte ëndërruar.

“Natyrisht jam lodhur pak, sepse unë jam edhe njëri prej organizatorëve. Është kënaqësi për të të interpretuar së bashku me shokët e mi të cilët i dua shumë dhe më kanë ndihmuar shumë, më kanë inspiruar, si Antonio Gashi dhe Visar Kuqi që tash edhe i kam kolegë natyrisht. Ka qenë shumë mirë me bashkëpunu me ta, e kam pasur ëndërr bashkëpunimin me të dytë. Shumë mirë ka shkuar koncerti dhe besoj që i ka pëlqyer edhe publikut”, tha ai.

Kitaristi Çoçaj tha se qëllimi në vetveti i organizimit të një festivali të tilla ka për qëllim përkrahjen e artstëve të rinjë, duke i rritur cilësisht interpretimin dhe ekzekutimin me instrumentin e kitarës.

“Qëllimi është që me investu sa më shumë në kitarën klasike, për të përkrahur të rinjtë, për të investuar te të gjithë artistët, jo vetëm te të rinjtë apo të vjetrit por te të gjithë arstistët me investu për të quar kitarën sa më përpara. Natyrisht kjo në Prishtinë ppo mbahet mirëpo interesimi është nga e tërë Kosova dhe ne jemi tepër të lumtur me startin që e kemi pasur” ka shtuar Çoçaj, duke thënë që festivali pritet që të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.

Publikut në vazhdim do t’i dhurohen edhe dy koncerte, të cilat do të mbahen më datë 26 dhe 27 tetor, ku në natën përmbyllëse, solist do të jetë kitaristi me famë botërore Petrit Çeku/KultPlus.com

Të ngjajshme