Flaka Goranci magjeps Italinë, së shpejti prezantohet në festivalin e njohur të Austrisë e në Gjermani

27 Dhjetor, 2018 - 12:00 pm

Ylli operistik nga Kosova, Flaka Goranci po vazhdon të dëshmojë veten në skenat më të njohura evropiane. Aktivitetet e saj nuk kanë munguar as këtë fundvit e as në fillim të vitit që po vjen.

Ajo së fundmi është paraqitur në koncertin për Krishtlindje në Lucca të Italisë, atje Goranci ka interpretuar nën dirigjimin e dirigjentit austriak me famë  botërore Gustav Kuhn. Goranci me një interpretim e paraqitje të kompletuar artistike, ka magjepsur publikun italian me një nga veprat impenjative të repertorit operistik.  Goranci, e cila është fort e lidhur me rrënjët, atje ka interpretuar në gjuhë të ndryshme ndërsa nuk ka munguar edhe këndimi në gjuhën shqipe, ku ka interpretuar këngën e njohur për krishtlindje “Silent night”, “Natë e qetë”, shkruan KultPlus.

Ndërkohë që Flaka është e angazhuar ne Festivalin e njohur në Tirol te Austrisë me dy role operistike, atë të “Teresa”-s në operën “La Sonnambula” dhe atë të “Ernestina”-s në “L’occasione fa il ladro”,  ajo po përgatitët edhe për dy koncertet e radhës në Gjermani bashkë me orkestrën simfonike të Hamburg – ut ku do të interpretojë pjese të shkëputura nga opera “Carmen” dhe arie nga repertori operistik.

Flaka Goranci me një program të veprave të njohura operistike e vepra të njohura shqipe, i pat dhuruar publikut të Prishtinës një koncert të paharruar në përvjetorin e 5-të të gazetës online për art dhe kulturë, KultPlus. KultPlus e ka kthyer Gorancin pas disa vitesh me koncert në Kosovë, ndërsa në po këtë mbrëmje, Goranci ka rrëfyer edhe për rrugëtimin e saj artistik në kuadër të ciklit të rrëfimeve “Ta zbardhi ftyrën”./ KultPlus.com

Të ngjajshme