Flautistja Artida Bakija: Në frymë të muzikës jam rritur

8 Korrik, 2020 - 8:00 pm

Qendrim Badalli

Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës ndër vite ka nxjerrur talente të ndryshëm që kanë korrur suksese brenda dhe jashtë shtetit. Artida Bakijaj është nja nga talentet më të spikatura dhe një nga emra më premtues në fushën e kulturës.

Flautistja Artida Bakija në këtë intervistë për KultPlus ka folur hapur dhe gjerësisht për lidhjen e saj me muzikën, për koncertet e realizuara deri më tani, për sfidat me të cilat përballet si dhe për synimet e saj në të ardhmen.

Flautistja Bakija, intervistën për KultPlus e filloi duke rrëfyer lidhjen e saj të hershme me muzikën, që në fakt ishte një lidhje familjare.

“Në frymë të muzikës jam rritur. Pasi që edhe dy vëllezërit e mi kanë qenë në shkollë të muzikës dhe vazhdimisht i dëgjoja duke luajtur, më erdhi dëshira që të luaja edhe unë një instrument. Si e vogël ndodhte që të këndoja ndonjëherë ndonjë këngë me vëllaun që më shoqëronte ne kitarë, por isha edhe pjesë e korit të shkollës fillore “Mustafa Bakija” në Gjakovë”.

Flautistja që për pak mund të ishte pianiste tregon tutje për mënyrën e zgjedhjes së këtij profesioni.

“Kur më erdhi dëshira për tu regjistruar në shkollën e muzikës isha pak e madhe në moshë dhe dëshiroja instrumentin e pianos, pasi që vazhdimisht isha mësuar te dëgjoja rreth pianos dhe kitarës. Testet i kalova me pikë maksimale mirëpo, nuk mund të vazhdoja në piano për shkak që isha dikund 11 vjeçe, pra e madhe per piano dhe më propozuan flautën. Deri atëherë nuk kisha ndonjë mendim për një profesion që e mendoja se do bëhesha në të ardhmen, por jam shumë e bindur se qysh prej klasës së parë të shkollës së muzikës dhe kur i kam dëgjuar tingujt e parë të flautës, edhe pse nuk ka qenë instrumenti im i preferuar, kanë filluar idetë e mia fëminore për profesionin tim të ardhshëm”.

“Prej frikës shpesh më kanë këshilluar që të merrem me një profesion më të sigurt”, ka thënë flautistja e re, por ajo nuk është ndalur dot në rrugëtimin e saj artistik.

“Familja kanë qenë ata që më kanë mbështetur shumë që nga fillimi dhe vazhdojnë ende. Më pas profesoreshat e flautës të cilat më kanë përcjellë gjithë këto vite po ashtu. Duke qenë se në Kosovë ende nuk ka shumë njohuri nga një pjesë e popullsisë për muzikën klasike, edhe është vështirë me pasë të ardhura vetëm prej këtij profesioni kam vazhduar të punoj, plotësoj e mundohem që t’i realizoj dëshirat dhe synimet e mia. Prej frikës shpesh më kanë këshilluar që të merrem me një profesion më të sigurte, por me të vërtetë kam qenë shume e sigurt dhe kam pasur ide të qarta prej shkollës fillore të muzikës për këtë rrugëtim”.

Artida Bakija flet shkurt edhe për fillimin e studimeve në Universitetin e Prishtinës.

“Kam filluar këtë vit akademik në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Arteve në drejtimin Muzikë, ndërkohë që përgatitesha për provimet në Zürcher Hochschule der Künste. Këtë vit kam qenë në klasën e prof.Venera Mehmetagaj Kajtazi, prej të cilës kam marrë mjaft njohuri dhe mbështetje për vazhdim të studimeve në Zürich”.

Bakija flet për koncertet e saj brenda dhe jashtë shteti, të cilët qenë përcjellur me emocione e përgjegjësi.

“Deri më tani kam pasur tre koncerte solistike të miat, dhe dy herë kam performuar edhe me orkestër. Në 2014, në klasën e katërt ka qenë koncerti i parë solistik i mbajtur në Gjakovë me mësuesen Kaltrina Krasniqi. Më 2017 kur isha në vitin e parë të shkollës së mesme dhe më 2019 si maturante në klasën e prof. Igballe Çitaku në Prishtinë ku edhe e kam përfunduar Shkollën e Mesme të Muzikës. Kam qenë pjesëmarrëse e spektaklit “Virtuozet” që është mbajtur në Tiranë, ku performova me orkestër simfonike. Po ashtu kam qenë edhe në Itali ku kam mbajtur masterklase dhe koncerte, këtë herë edhe si pjesë e orkestrës. Secili prej këtyre koncerteve ka të veçantat e veta. Në secilin prej tyre ka pasur emocione, por në këtë të fundit pak më shumë edhe përgjegjësi artistike”.

Flautistja Artida Bakija, flet specifikisht për sfidat me të cilat është përballur në rrugë e sipër. Se suksesi nuk është ekskluzivisht çështje talenti e tregon edhe ‘mësimi autodidakt’ i saj.

“Për shkak që kemi regjimin e vizave, njëjtë edhe në të kaluarën, pjesëmarrja në masterklasa ka qenë e kufizuar. Mundësia e shëtitjes në Europë për t’u takuar me profesorë ka qenë më e vogël. Për sa i përket koncerteve, të gjitha kanë qenë të vetëfinancuara. Por këto kushte jo aq të lehta, nuk më kanë ndalur asnjëherë. Njohja e flautistëve përmes Youtube ka pasur rrol shumë të rëndësishëm. Flautistët si Denis Bouriakov, Emmanuel Pahud, Jean Pierre Rampal, etj., me të cilët jam njohur prej videove të tyre qysh në moshë të re kanë ndikuar shumë që të ëndërroj për skena të mëdha. Prej tyre jam njoftuar edhe me teknikat dhe veprat moderne të flautës, të cilat i kam mësuar në mënyrë autodidakte”.

Bakija përmend edhe modelet që ka pasur për ngritjen profesionale, thotë se edhe kritikat i kishin ndihmuar.

“Deri më tani kam pasur fat me profesoreshat e mia të flautës për njohuritë, patjetër shtytjen e përkrahjen. Por, edhe për profesorët e lëndëve teorike të muzikës, që këto lëndë sado pak më kanë ndihmuar që të plotësuar hapësira në muzikë. Kritikat dhe lëvdatat (përfshirë ato të garave, koncerteve dhe masterklasave) kanë qenë një tjetër faktor i madh që më kanë motivuar për të ushtruar, studiuar, dhe realizuar qëllimet e mia deri më tani”.

Mungesën e një salleje koncertale që e përmend po thuajse çdo artistë në Kosovë, nuk e ka lënë pa e përmendur as flautistja Artida Bakija.

“Kosova ka të rijnë e të reja që premtojnë shumë, por edhe që po e dëshmojnë me sukseset e tyre jashtë dhe brenda Kosovës. Muzikës klasike në Kosovë duhet t’i jepet më shumë rëndësi dhe përkrahje institucionale e sidomos në ndërtimin e një salle koncertale. Por jo vetëm, përkrahje për studentë e profesorë të Artit, pasi që jemi ambasadorët më të mirë në një mënyrë, për të përfaqësuar shtetin tonë”.

Duke e përmbyllur intervistën për KultPlus, flautistja Artida Bakija, tregon për pranimin e saj në një universitet në Zvicër dhe për prtishmëritë e saj atje.

“Qysh në shkollë të mesme kam ëndërruar për të qenë pjesë e një Universiteti të Arteve në Europë. Ky vit ka qenë mjaft kërkues dhe angazhues për përgatitjen për provime për Zürcher Hochschule der Künste. Jam shumë e kënaqur që arrita të pranohem në drejtimin instrumental flaute pasi kisha edhe konkurrencë. Thjeshtësia e profesorëve gjatë komunikimit, më bëri që të mos besoj derisa më erdhi konfirmimi zyrtar. Korrektësia e tyre në orare dhe data, që kanë dërguar orarin e ligjëratave, data të koncerteve, ditëve të punës, pushimeve, profesorët të cilët do të ligjërojnë dhe për shumicën e lëndëve literaturën dy muaj para se të filloj semestri, më bënë mezi të pres për fillimin e vitit akademik. Sidomos për zgjerimin e njohurive dhe eksperiencave të reja”. / KultPlus.com

Të ngjajshme