Folklori përballë transformimit dhe nënvlerësimit nga shoqëria

6 Janar, 2020 - 10:30 am

Shekulli XXI, globalizmi, zhvillimet teknologjike dhe mënyra e jetesës kanë bërë që edhe koncepti për folklorin të ndryshojë. Këtë e kanë pohuar edhe njohës të kësaj fushë, mirëpo, sipas tyre, rëndësia e folklorit mbetet e njëjtë. Ruajtja dhe studimi i folklorit shihen si pika kyç edhe në Degën e Folklorit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, shkruan Koha Ditore.

Studiuesja e folklorit Leonita Gega-Musa, e cila është hulumtuese në Degën e Folklorit në Institutin Albanologjik, ka thënë se ky institucion deri tani ka një fond të konsiderueshëm të studimeve të cilat kanë mbuluar kryesisht krijimtarinë gojore dhe letrare. Mirëpo ajo ka theksuar se kohëve të fundit është paraqitur nevoja që koncepti i folklorit të jetë më i gjerë.

“Kohëve të fundit kemi tendenca dhe sfida që duhet të fillojmë studimet – veç ka përpjekje edhe fillime – edhe të folklorit bashkëkohor në kontekst të ndryshimeve dhe transformimeve që po ndodhin brenda folklorit e që po bartën pa dallime, si në zona urbane edhe në ato rurale”, ka thënë ajo.

Duke diskutuar për këto ndryshime, ajo ka përmendur edhe një nga botimet e fundit “Grafitet në folklor” të Ylberza Halilit.

Muzikologia Rreze Kryeziu ka thënë se vetë populli shqiptar ka ndikuar që folklori të ketë një jehonë të dobët.

Sipas muzikologes Kryeziu, kultivimi i folklorit vazhdon në masë të madhe të bëhet nga individë dhe ansamble performuese (instrumente e valle). Mirëpo, sipas saj, si rezultat i situatës së ngarkuar ekonomike në vend dhe mbështetjes minimale kultivimi i mëtutjeshëm është i rrezikuar në masë të madhe.

Në mesin e Ansambleve që tentojnë të ruajnë folklorin është edhe ansambli folklorik autokton “Rugova”. Aida Lajçi në moshën 13-vjeçare ishte bërë pjesë e tij. Atëherë për të ka qenë interesante të këndonte e vallëzonte gjersa veshur mbante veshjen e Rugovës. /KultPlus.com

Të ngjajshme