Gëzim Myshketa sjell albumin artistik me këngë nga trevat shqiptare

19 Qershor, 2021 - 11:28 am

Baritoni shqiptar me famë ndërkombëtare Gëzim Myshketa ishte i ftuari i emisionit të pasdites “Rudina” në Tv Klan. Baritoni i mirënjohur sapo ka realizuar një album antologjik me disa nga këngët më të bukura shqiptare, të lidhura së bashku në një libër me 70 faqe, ideja fillestare e të cilit ishte një libret, përcjell KultPlus.

“Ta dish” titullohet vepra që shënon një moment të rëndësishëm të baritonit me famë ndërkombëtare që përveç këngëve, përmban edhe historinë e secilës prej tyre. Eventi prezantues i organizuar ditën e djeshme mblodhi emra të rëndësishëm të artit dhe njerëz të afërt të tij.Gëzim Myshketa tregon edhe filozofinë që qëndron pas këtij projekti, i cili nuk lidhet aspak me tregun komercial muzikor dhe është art i pastër, i pa ndikuar të cilin e ka realizuar me shumë dëshirë e pasion për të kontribuar në art. Albumi libër përmban një përzierje të këngëve të ndryshme të disa prej trevave shqiptare.

Gëzim Myshketa:Fjala “treg, komerciale” nuk ekziston fare dhe nuk e kam menduar në asnjë moment. Kjo ëhstë thjesht një dëshirë, një pasion i imi, një kontribut i imi. CD-ja mbase do të riprodhohet, nuk është fare çështje shitjesh, unë dua ta prodhoj me ndihmën e financuesve që do të kenë mundësi të na ndihmojnë siç kanë bërë, por dua thjesht që të arrijë kënga jonë, e shpluhurosur, e pastër, me një kostum të ri dhe pse jo të mbetet një incizim i shumë e shumë pjesëve shqiptare me zërin tim. Kënaqësia më e madhe kur bën një disk të tillë është se nuk je fare i kufizuar, e bën ashtu siç e ndien, sepse për asnjë moment nuk ke idenë “obobo po të rinjtë a do e pëlqejnë?, po tregu sot?”, normalisht mundohesh të sjellësh një prodhim artisitk që të pëlqehet sa më shumë, patjetër, por duke mos patur problemin e shitjeve, ti bën atë çfarë ndien dhe kjo duket, shihet dhe dëgjohet në album.

Rudina Magjistari: Në lidhje me përzgjedhjen e këngëve, sa kohë të është dashur dhe a ka diçka për të na rrëfyer lidhur me to?

Gëzim Myshketa: Ka lindur shumë natyrshëm, disa nga këto këngë janë më domethënëse, përfaqësuese si “Luleborë”, “O moj korçare” etj. Nuk kam bërë ndonjë përzgjedhje specifike, ishte një listë të cilën kisha dëshirë ta këndoja dhe pak a shumë duke patur dëshirën të preknim treva të ndryshme pasi kemi nga Veriu, Jugu e Shqipëria e Mesme, por që të bësh të gjithë këngët shqiptare është e vështirë sepse mungon Kosova, arvanitasit e treva të tjera dhe qëllimi në volumin e dytë është të fusim pjesë të tjera të këtij lloji. /tvklan.al/ KultPlus.com

Të ngjajshme