“Grammy” i pazakontë

14 Mars, 2021 - 6:59 pm

Pa publik dhe nën kushte të pandemisë, ceremonia e sivjetme është cilësuar si më e pazakonta dhe më e paparashikueshmja, për shkak të konkurrencës së madhe mes artistëve

Ceremonia e 63-të e Çmimeve Grammy mbahet në Los Anxhelos të dielën mbrëma, ku do të paraqiten Billie Eilish, BTS, Taylor Swift, Dua Lipa, Harry Styles dhe Cardi B.

E cilësuar tradicionalisht si “nata më e madhe e muzikës”, ceremonia e këtij viti do të jetë pak më ndryshe për shkak të pandemisë.

Nuk do të ketë publik dhe interpretuesit do të ndahen në pesë skena, të rregulluara në një rreth brenda Qendrës së Kongresit të Los Anxhelos për ta ruajtur distancën.

“Nuk është Zoom, nuk është ‘pandemike’”, tha drejtuesi Trevor Noah. “Bendet do të performojnë për njëri-tjetrin”, si një version i yjeve i “Later … With Jools Holland”, pa piano boogie-woogie.

Duke e thyer traditën edhe një herë, çmimet do të shpërndahen nga banakierë, roje sigurie dhe pastrues nga vendet e koncertit, që janë detyruara të mbyllen për shkak të COVID-19.

Këtë vit, Beyonce kryeson nominimet – gjithsej nëntë – duke përfshirë katër për himnin e saj të të drejtave civile “Black Parade”, e cila u publikua në kulmin e protestave “Black Lives Matter” vitin e kaluar. Taylor Swift dhe Dua Lipa vijnë më pas, secila me nga gjashtë nominime. Të gjithë ata janë pretendentë të fortë, por, siç e dinë shikuesit e “Grammy”, presioni për t’i vendosur çmimet i ngazëllen tepër votuesit.

Pretendimet e Swiftit

Projekti befasues i Taylor Swift, “Folklore”, është konkurrenti kryesor për çmimin e albumit e vitit. Fitimi i këtij çmimi nuk do të ishte vetëm rikthim për të, por do të hynte në histori duke u bërë gruaja e parë që e ka fituar këtë çmim tri herë radhazi.

Edhe Beyonce shpreson ta thyejë rekordin duke fituar katër çmime nga nëntë nominime, rekord të cilin e mban Alison Krauss.

BTS, grupi i parë K-pop

Edhe nëse nuk e fiton çmim, grupi BTS tashmë kanë hyrë në histori si grupi i parë K-pop që është nominuar në një kategori kryesore.

Bendi garon për performancën më të mirë të një grupi pop me këngën që ka qenë e para në lista muzikore në ShBA, “Dynamite”.

Kjo kategori është goxha e vështirë, pasi ka emra të mëdhenj.

“Sinqerisht, nuk po presim diçka”, ka thënë reperi/këngëtari RM. “Nuk duam të dëshpërohemi pasi kemi konkurrentë yje si: Lady Gaga, Taylor, Bieber.

Eurovision rikthehet në Grammy

Vetëm një këngë nga Eurovisioni ka fituar çmim Grammy: “Nel Blu, Dipinto Di Blu” nga Domenico Modugno. Balada, që e zuri vendin e tretë në Eurovision më 1958, fitoi dy çmime Grammy më 1959: kënga dhe projekti më i mirë.

Dhe që nga atëherë nuk ka pasur asnjë pikë për këto këngë. Këtë vit rikthimi bëhet me këngën e një filmi, “The Story Of Fire Saga”, që është nominuar për çmimin “kolona zanore më e mirë për mediat vizuale”.

A do ta ndajë çmimin e saj Fiona Apple?

Për herë të parë, vetëm gra janë të nominuara në kategorinë më të mirë të performancës rock, me Pheoebe Bridgers, Haim, Brittany Howard, Big Thief, Grace Potter dhe Fiona Apple. Nëse ajo fiton, Apple thotë se dëshiron ta ndajë çmimin me koleget e saj të nominuara.

“Unë do të merrja Grammyn dhe do ta ndaja në copa mjaftueshëm sa për ta marrë të gjitha dhe do t’i ftoja të gjitha zonjat që ta bëjnë të njëjtën gjë”.

Meryl Streep dhe merimanga

Meryl Streep është aktorja më e nominuar në historinë e çmimeve Oscar –ajo është edhe pretendente e rregullt në Grammy – falë kolonës zanore Mamma Mia, ndër të tjerash. Ajo është përmendur së fundmi në kategoritë e librave audio – falë rrëfimit të saj për librat për fëmijë, si “Lepuri Velveteen”, “Përralla e Lepurit Peter” dhe vepra të tjera që nuk kanë lidhje me lepujt. Këtë vit ajo garon me librin audio të “Charlotte’s Web”, historia klasike e një derri që krijon një miqësi me një merimangë.

Reperja me synime të mëdha

Asnjëra nga reperet si Roxanne Shante, Salt’N’Pepa, Queen Latifah, Lil’ Kim, Left Eye, Missy Elliot, Eve, Lauryn Hill, Nicki Minaj, Cardi B, nuk ka fituar çmim për këngën më të mirë rep.

Kjo mund të ndryshojë këtë vit, pasi kënga e Megan Thee Stallionit, “Savage(Remix)”, po konsiderohet si konkurrentja kryesore për çmim.

Do të ishte domethënëse fitorja e këtij çmimi, pasi vetëm një këngë e zhanrit rep (“This Is America” nga Childish Gambino) e ka fituar këtë çmim.

Pakënaqësi e skandale

Në mesin e shumë kategorive për çmim Grammy, fokusi është gjithmonë te “katërshja e madhe” – kënga e vitit, projekti i vitit, albumi i vitit dhe artisti më i mirë i ri.

Edhe këtë vit ka shumë gjëra kundërthënëse. Skandali më i madh është nominimi për projektin e vitit të këngës “Say So” nga Doja Cat. Kënga e saj është shkruar në bashkëpunim me Lukasz “Dr Luke” Gottwald, pasi ishte akuzuar për ngacmim ndaj Keshas.

Ndërsa, ylli kandez The Weeknd është shprehur i pakënaqur pasi nuk është nominuar për asnjë çmim me këngën “Blinding Lights” dhe për këtë arsye do t’i bojkotojë të gjitha ceremonitë e ardhshme. Kënga e tij ishte kënga më e shitur e vitit.

Për shkak se janë disa kategori, do të mbahen dy ceremoni të dielën.

E para e quajtur “Grammy Awards Premiere” do të mund të shikohet drejtpërdrejt prej orës 19:30 (GMT) /15:30 (ET) të dielën, 14 mars.

Tani për tani, asnjë transmetues britanik nuk ka plane ta transmetojë ceremoninë, mirëpo do të mbulohet plotësisht nga uebfaqja BBC News gjatë natës të dielën./koha/KultPlus.com

Të ngjajshme